✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

Manaj zemërthyer largohet nga klubi turk: Nuk u mbajtën premtimet

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka ndërprerë bashkëpunimin me klubin turk Sivasspor, duke bërë të ditur se vendimi erdhi pas mospërmbushjes së detyrimeve financiare nga ana e klubit.

Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku shpjegon se kishte pritur për një kohë të gjatë zgjidhjen e situatës, por pagesat e prapambetura nuk u kryen dhe premtimet e drejtuesve nuk u mbajtën.

Manaj thekson se në Sivasspor ishte transferuar me synimin për të ndihmuar skuadrën të rikthehej në elitën e futbollit turk, por sipas tij, kushtet e nevojshme për realizimin e këtij objektivi nuk u krijuan.

Sulmuesi shqiptar tregon se në disa raste i kishte kërkuar zyrtarisht klubit të përmbushte detyrimet brenda një afati prej 15 ditësh, duke shpresuar se palët do të gjenin një zgjidhje. Megjithatë, sipas deklarimit të tij, kjo nuk ndodhi dhe ai u detyrua të merrte vendimin për ndërprerjen e kontratës.

Në mesazhin e tij, Manaj shprehet se ndarja nga Sivasspor është një vendim i vështirë, pasi klubin e konsideronte si shtëpinë e tij. Ai falënderoi tifozët për mbështetjen dhe theksoi se respekti për ta do të mbetet, pavarësisht përfundimit të bashkëpunimit.

‘Erdha te Sivaspor me një qëllim: të ndihmoja në rikthimin e klubit aty ku e kishte vendin, në SuperLigë, dhe të jem pjesë e atij projekti ambicioz. Fatkeqësisht, skuadra dhe kushtet e nevojshme për të arritur këtë qëllim nuk u krijuan kurrë. Pas një periudhe të gjatë durimi, u detyrova të marr një nga vendimet më të vështira të karrierës sime: të ndërpres kontratën me Sivaspor. Gjatë muajve të fundit, i dhashë klubit shumë mundësi. Në disa raste, i kërkova zyrtarisht klubit që brenda 15 ditëve të përmbushte detyrimet e tij, dhe çdo herë shpresoja se situata më në fund do të zgjidhej. Për fat të keq, pagesat nuk u kryen dhe premtimet e dhëna nuk u mbajtën. Gjithmonë zgjodha t’i jepja klubit një mundësi tjetër, por durimi im nuk u respektua

‘Kjo më thyen zemrën. Sivaspor ka qenë shtëpia ime dhe në fushën e lojës, kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Për tifozët e Sivaspor: më keni mbështetur nga dita e parë e deri në të fundit. Dashuria dhe respekti juaj vlejnë për mua më shumë sesa mund ta shprehin fjalët. Edhe pse sot rrugët tona ndahen, Sivaspor do të mbetet gjithmonë në zemrën time dhe unë do të mbetem gjithmonë një mbështetës i këtij klubi. Faleminderit për gjithçka.-mbyllte postimin e tij Manaj.

Advertisement