Sport
PASI NGRITI NE OLIMP COMON, CESC FABREGAS BEHET GATI PER TE RREMBYER BARCELONEN
Cesc Fabregas ka reaguar ndaj zërave që e lidhin me një rikthim të mundshëm te Barcelona, këtë herë në rolin e trajnerit. Ish-mesfushori spanjoll, i cili po spikat me punën e tij në krye të Comos, shihet si një nga alternativat për të pasuar Hansi Flick në të ardhmen.
Megjithatë, Fabregas nuk dëshiron të nxitohet, duke pranuar se lidhja e tij me klubin katalanas mbetet e veçantë.
“Po, jam nga Barcelona. Jam rritur atje dhe i njoh të gjithë në klub. Por gjërat duhen marrë ditë pas dite. Nuk më pëlqen të mendoj shumë për të ardhmen. E kam bërë këtë edhe më parë dhe nuk ka përfunduar kurrë mirë”, deklaroi spanjolli.
Trajneri theksoi se aktualisht prioriteti i tij është projekti i Comos, ku synon të vazhdojë zhvillimin profesional dhe të përballet me sfida të reja.
“Como është një klub në rritje dhe të jesh trajner këtu është një detyrë shumë konkurruese dhe kërkuese. Kam shumë përgjegjësi, por dua të shijoj punën time dhe të vazhdoj të sfidoj veten. Në këtë mënyrë mund të rritem edhe më shumë si trajner. Për mua ka rëndësi çdo ditë, sepse të mendosh vazhdimisht për të ardhmen nuk është gjithmonë e dobishme”, shtoi Fabregas.
Pavarësisht angazhimeve në Itali, ish-mesfushori nuk e fsheh pasionin për Barcelonën. Madje, ai zbuloi me humor se i ndjek ndeshjet e katalanasve edhe gjatë përgatitjeve taktike të skuadrës së tij.
“Barcelona luan në një nivel jashtëzakonisht të lartë, ashtu si PSG-ja dhe Bayern Munich. Janë tri, katër apo pesë skuadra që luajnë aq mirë, sa më pëlqen t’i ndjek ndeshjet e tyre”, përfundoi spanjolli.