Sport
Champions League/ Reali shperthen me manita, Arsenal dhe City ngecin, Leipzig dhe Como bejne detyren
Mbrëmje spektakolare në futbollin europian, me gola, përmbysje dhe rezultate surprizë. Real Madrid dhuroi spektakël përballë PSV-së, duke triumfuar me rezultatin e thellë 5-1, ndërsa Arsenal dhe Manchester City nuk arritën të merrnin pikët e plota.
Në “Santiago Bernabeu”, holandezët befasuan vendasit, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh, falë një penalltie të ekzekutuar saktë nga Ivan Perisic, pas ndërhyrjes së parregullt të Tchouameni ndaj Sven Mijnans.
Reagimi i madrilenëve ishte i jashtëzakonshëm në pjesën e dytë. Federico Valverde barazoi shifrat në minutën e 50-të, ndërsa Jude Bellingham përmbysi rezultatin dhjetë minuta më vonë. Kylian Mbappe realizoi dy herë në minutat 64 dhe 84, përpara se Vinicius Junior të vuloste fitoren 5-1 në minutën e 87-të.
Në “Emirates”, Arsenal u ndal në barazim 1-1 nga Borussia Dortmund. Londinezët kaluan në avantazh që në minutën e 10-të, falë një supergoli të Viktor Gyokeres, por verdhezinjtë rikthyen ekuilibrat me Max Beier në minutën e 55-të.
Duel emocionues edhe në “Etihad”, ku Manchester City dhe Napoli ndanë pikët pas barazimit 2-2. Pas një pjese të parë pa gola, italianët kaluan dy herë në avantazh me Rasmus Hojlund (55’) dhe Noa Lang (76’), por “Qytetarët” u kundërpërgjigjën me Ayyoub Bouaddi (67’) dhe Rayan Cherki (86’).
Leipzig triumfoi 3-1 ndaj Lens në “Red Bull Arena”. Gjermanët shënuan dy herë brenda nëntë minutave të para me David Raum dhe Antonio Nusa. Matthieu Udol ngushtoi diferencën për francezët në pjesën e dytë, ndërsa Nusa kompletoi dopietën personale në minutat shtesë, duke vulosur fitoren e vendasve.