✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Kush ishte “Papagalli”? Zbardhet atentati ndaj anëtarit të mafias greke, në kërkim shqiptari

Policia greke ka zbardhur autorësinë e dyshuar të vrasjes së 52-vjeçarit Nikos Gavanozis, i njohur në botën e natës me nofkën “Papagalli”, i cili u ekzekutua më 10 tetor në Glifadha të Athinës. Për ngjarjen është arrestuar një 48-vjeçar grek, ndërsa në kërkim është shpallur shqiptari Eduart Qendrothanasi, alias Stamatis Qendrothanasi, nga Saranda.

Sipas hetimeve të policisë greke, dy të dyshuarit lëviznin me motor kur iu afruan viktimës, i cili po udhëtonte gjithashtu me motor. Njëri prej tyre hapi zjarr disa herë, duke bërë që 52-vjeçari të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë. Por autorët nuk u larguan menjëherë. Ata u kthyen pranë viktimës dhe qëlluan sërish në drejtim të tij. Në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja, ndërsa ekspertiza përcaktoi se vdekja erdhi si pasojë e plagëve të shumta nga armët e zjarrit.

Hetuesit zbuluan se pas atentatit, dy personat u larguan me motor drejt zonës së Kerateas, ku e fshehën mjetin në një banesë të izoluar. Aty i priste një person tjetër, i cili i transportoi me automjet drejt një zone tjetër të Athinës. Sipas policisë, Eduart Qendrothanasi dyshohet se ishte drejtuesi i motorit të përdorur në vrasje.

Gjatë kontrolleve, autoritetet gjetën motorin e përdorur në atentat, të fshehur dhe të çmontuar në pjesë, si dhe automjete, prova dixhitale dhe një helmetë që dyshohet se i përkiste njërit prej autorëve.

Shqiptari i shpallur në kërkim rezulton të jetë kërkuar edhe më parë nga policia greke, për një grabitje të armatosur në një pikë postare të ELTA-s në Mesini, më 27 korrik 2023. Ndërkohë, i arrestuari grek është akuzuar më herët për vepra penale që lidhen me mbështetjen e veprimtarisë së një organizate kriminale. Pas marrjes në pyetje, ai është lënë në paraburgim.

Kush ishte Nikos Gavanozis?

Viktima, i njohur me nofkën “Papagalli”, kishte një të kaluar të lidhur me hetime dhe episode të dhunshme në Athinë. Në vitin 2015, ai u arrestua si i dyshuar për pjesëmarrje në një grup që shantazhonte pronarët e bizneseve, duke u kërkuar para në këmbim të të ashtuquajturës “mbrojtje”. Në atë operacion u arrestuan gjithsej 21 persona.

Emri i tij ishte përmendur edhe në disa incidente me armë zjarri dhe përplasje mes tifozëve të organizuar të Panathinaikosit. Në shtator 2021, ai u arrestua pas një incidenti të armatosur pranë një shoqate tifozësh, ndërsa në korrik 2024 u ndalua sërish pas përleshjeve jashtë stadiumit “Alexandras”, ku mbetën të plagosur disa persona.

Vrasja e tij në Glifadha dhe identifikimi i një të dyshuari shqiptar kanë rikthyer vëmendjen te hetimet për aktivitetet kriminale dhe përplasjet në botën e natës në kryeqytetin grek.

Advertisement