Kronike
RRËQETHËSE/ Humben jetën pas shpërthimit, çifti shqiptar ishin në pritje të fëmijës së parë
Eris Cani, shqiptarja që humbi jetën pas shpërthimit të fuqishëm dhe shembjes së një godine në Athinë, mësohet se ishte shtatzënë dhe priste fëmijën e saj të parë.
Sipas raportimeve të mediave greke, Erisa dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha, sapo ishin martuar dhe ndodheshin në Athinë për pushime. Udhëtimi, që duhej të ishte një periudhë e gëzueshme për çiftin, u shndërrua në tragjedi pas shpërthimit që çoi në shembjen e ndërtesës.
Çifti humbi jetën së bashku me Florida Hoxhën, motrën e Florinit, dhe partnerin e saj amerikan, Ian Alexander Kirkpatrick.
Sipas një mikeshe të viktimave, Nikoleta Gjoni, Erisa dhe Florini ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë, një vajzë.
“Florin dhe Eris ishin shumë të emocionuar sepse prisnin fëmijën e tyre të parë, një vajzë. Ata ishin shumë të emocionuar që do të bëheshin prindër”, është shprehur ajo në një intervistë për median greke.
Nikoleta i ka përshkruar çiftin si njerëz të sjellshëm, të arsimuar dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Ajo ka folur gjithashtu për Florida Hoxhën, duke e cilësuar si një avokate të zonja.
Sipas raportimeve të publikuara pas ngjarjes, në fotot e viktimave Florida Hoxha shfaqet pranë partnerit të saj amerikan, Ian Alexander Kirkpatrick, 37 vjeç, ndërsa në një tjetër pjesë të fotografisë ndodhen Erisa Cani dhe Florin Hoxha.
Tragjedia në Athinë mori jetën e gjashtë personave, mes tyre shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit që shkaktoi shembjen e godinës.