Bota
SHANTAZHI/ S’KA NEGOCIATA AMERIKE-IRAN
Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një mbledhje urgjente në “Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë për të diskutuar përshkallëzimin e ri të krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe ecurinë e negociatave me Iranin, sipas zyrtarëve amerikanë.
Takimi vjen në një moment kritik, vetëm tre ditë përpara skadimit të armëpushimit aktual, ndërsa ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të bisedimeve mes palëve. Një zyrtar i lartë amerikan paralajmëroi se, në mungesë të një marrëveshjeje të shpejtë, lufta mund të rifillojë brenda pak ditësh.
Tensionet u rindezën pasi Irani njoftoi mbylljen e re të Ngushticës së Hormuzit dhe kreu disa sulme ndaj anijeve në këtë korridor jetík për tregtinë globale të naftës. Kjo ndodhi më pak se 24 orë pasi Trump deklaroi se një marrëveshje mund të arrihej “brenda një ose dy ditësh”.
Në mbledhjen e sigurisë kombëtare morën pjesë zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë zëvendëspresidentin J. D. Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth. Sipas burimeve, Vance pritet të jetë pjesë e raundit të ardhshëm të negociatave me Teheranin.
Në prapaskenë, shefi i Ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, ka ndërmjetësuar bisedime mes SHBA-ve dhe Iranit në Teheran, ndërsa Trump ka zhvilluar të paktën një telefonatë me të dhe me përfaqësues iranianë.
Sipas burimeve të Axios, kriza e re në Hormuz shpërtheu pikërisht kur palët po afroheshin drejt një kompromisi mbi pasurimin e uraniumit dhe rezervat bërthamore të Iranit. Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit konfirmoi se SHBA-të kanë paraqitur propozime të reja, të cilat janë në shqyrtim.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump akuzoi Iranin se “po luan lojëra”, duke shtuar se vendi “nuk mund të na shantazhojë”.
Ai theksoi se bisedimet janë ende në vazhdim dhe se deri në fund të ditës pritet të ketë më shumë qartësi nëse palët do të ecin drejt një marrëveshjeje.