Bota
Trump: Nuk mendoj fare për vështirësitë ekonomike të amerikanëve gjatë luftës me Iranin
Një deklaratë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkaktuar reagime të forta publike, pasi ai pranoi hapur se vështirësitë ekonomike të amerikanëve nuk ndikojnë aspak në vendimmarrjen e tij për luftën me Iranin.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, përpara nisjes drejt një vizite në Kinë, Trump u pyet nëse presioni ekonomik që po përjetojnë qytetarët amerikanë – në prag të zgjedhjeve të mesmandatit – po e shtynte drejt një marrëveshjeje me Iranin. Përgjigjja e tij ishte e prerë: “Aspak”.
“E vetmja gjë që ka rëndësi kur flas për Iranin është që ata nuk mund të kenë armë bërthamore”, tha Trump.
Deklarata vjen në një moment delikat politik për Trumpin, ndërsa ekonomia amerikane po ndjen efektet e luftës në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, çmimet e karburantit në Shtetet e Bashkuara kanë kaluar mbi 4.50 dollarë për gallon që prej nisjes së luftës në shkurt, duke goditur më fort familjet me të ardhura të ulëta dhe duke shtuar presionin mbi krizën e kostos së jetesës.
Komentet e Trump-it rrezikojnë të krijojnë tensione edhe brenda kampit republikan, teksa zgjedhjet e mesmandatit afrohen pas vetëm gjashtë muajsh.
Një pjesë e republikanëve në Kongres kanë shfaqur tashmë pakënaqësi me zgjatjen e konfliktit me Iranin, ndërsa demokratët kanë fituar terren politik duke e fokusuar fushatën te përballueshmëria ekonomike.
Megjithatë, Trump këmbënguli se politikat e tij ekonomike “po funksionojnë në mënyrë të jashtëzakonshme” dhe argumentoi se pas përfundimit të luftës çmimet e naftës do të bien ndjeshëm.
“Nëse ktheheni para luftës, inflacioni për tre muaj ishte 1.7 për qind. Kishim një zgjedhje – t’i lëmë këta të çmendur të kenë armë bërthamore. Nëse doni këtë, atëherë jeni budallenj”, deklaroi ai.