Bota
LUFTA/ TRUMP SHKARKON KREUN E MARINES SE SHBA
Sekretari i Marinës së Shteteve të Bashkuara, John Phelan, është shkarkuar nga detyra pas disa muajsh tensionesh me kreun e Pentagonit, Pete Hegseth.
Lajmi është bërë i ditur nga mediat amerikane, të cilat raportojnë se në qendër të përplasjes kanë qenë marrëdhëniet e afërta të Phelan me presidentin Donald Trump.
Sipas raportimeve, Phelan komunikonte shpesh drejtpërdrejt me Trump dhe e takonte atë në rezidencën Mar-a-Lago, duke i propozuar personalisht plane për modernizimin e flotës detare, pa kaluar përmes Pentagonit.
Kjo lëvizje ka shkaktuar pakënaqësi tek Hegseth, i cili nuk e ka pritur mirë anashkalimin.
Ndërkohë, Pentagoni konfirmoi largimin e Phelan nga detyra me efekt të menjëhershëm, pa dhënë shpjegime zyrtare për arsyet.
Ai konsiderohej zyrtari civil më i lartë në Marinën Amerikane. Përkohësisht, detyrën do ta marrë zëvendësi i tij, Hung Cao.
Nga ana tjetër, Marina e Gardës Revolucionare Iraniane ka njoftuar sekuestrimin e dy anijeve në Ngushtica e Hormuzit, duke i akuzuar për shkelje të rregullave të lundrimit. Sipas autoriteteve iraniane, bëhet fjalë për anijet “Msc Francesca”, e cilësuar si e lidhur me Izraelin, dhe “Epaminodes”, e cila dyshohet se ka tentuar të largohet nga ngushtica pa autorizim dhe ka manipuluar sistemet e navigimit, duke rrezikuar sigurinë detare.
Të dyja anijet janë shoqëruar në ujërat territoriale iraniane, ku do t’i nënshtrohen kontrolleve të ngarkesës dhe dokumentacionit.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se nuk ka një afat të përcaktuar për një armëpushim dhe se çdo vendim për kohëzgjatjen e tij do të merret nga vetë presidenti Trump. Ajo e cilësoi si të pasaktë hipotezën për një armëpushim të kufizuar në 3 deri në 5 ditë.
Edhe Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk ka “asnjë afat kohor” për t’i dhënë fund luftës me Iranin.
Ndërkohë, kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se “nuk është e mundur” të rihapet Ngushtica e Hormuzit për shkak të shkeljeve “flagrante” të armëpushimit nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se bllokada e SHBA-së dhe “shkelja e angazhimeve” janë pengesat kryesore për negociatat.
Irani ka sulmuar të mërkurën tri anije mallrash ndërsa ato përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ekuipazhet e dy prej tyre janë ndaluar nga Irani.
Ndërkohë, Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë një rund të dytë bisedimesh të enjten.