Connect with us

Aktualitet

FILLON PROJEKTI PER PORTOFOLIN ELEKTRONIK

Shqipëria ka nisur zbatimin e një prej projekteve më strategjike në fushën e transformimit teknologjik, ndërtimin e Portofolit të Identitetit Digjital, një aplikacion i zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i integruar me portalin e-Albania.

Ky sistem i ri synon t’u japë qytetarëve akses të shpejtë dhe të sigurt në dokumente të rëndësishme, si karta e identitetit, leja e drejtimit dhe dokumente të tjera me vulë elektronike, duke zhvendosur fokusin e shërbimeve tek vetë qytetari dhe kontrolli mbi të dhënat personale.

Projekti realizohet në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian dhe synon modernizimin e administratës publike, duke thjeshtuar ndërveprimin e qytetarëve me institucionet shtetërore dhe sektorin privat.

Portofoli Digjital është konceptuar sipas standardeve teknike të eIDAS 2.0 dhe do të funksionojë si një aplikacion i vetëm, ku qytetarët mund të ruajnë dhe përdorin dokumentet e tyre në formë elektronike, të aksesueshme në kohë reale përmes telefonave inteligjentë.

Aplikacioni do të ofrojë nivele të larta sigurie përmes autentifikimit biometrik dhe teknologjisë NFC, duke garantuar që vetëm përdoruesi i autorizuar mund të aksesojë të dhënat e tij. Gjithashtu, ai do të mundësojë ndarjen e kontrolluar të informacionit përmes kodeve QR dhe verifikimin e moshës përmes teknologjive të avancuara,

Brenda këtij viti pritet të përfundojnë disa etapa kyçe, përfshirë integrimin e dokumenteve kryesore dhe zgjerimin e përdorimit në të paktën 20 shërbime publike, si tatimet, shërbimet sociale dhe arsimi.

Objektivi afatgjatë është që deri në vitin 2027, Portofoli i Identitetit Digjital të integrohet plotësisht në ekosistemin evropian, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë përdorimin e identitetit të tyre në çdo shërbim publik dhe privat, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Advertisement