Connect with us

Politike

Shqipëria mbështet modelin e ri të zgjerimit të BE-së

Shqipëria shprehet e hapur ndaj një modeli të ri zgjerimi të Bashkimit Evropian, që do t’u lejonte vendeve kandidate të bëhen anëtare pa përfituar menjëherë të gjitha të drejtat vendimmarrëse.
Sipas raportimit të Politico-s, vendet që presin prej vitesh anëtarësimin janë të ndara mbi këtë qasje, ndërsa Tirana zyrtare e mbështet hapur.
Kryeministri Edi Rama i tha Politico-s se propozimi është një “ide e mirë” dhe se Shqipëria do ta pranonte edhe mungesën e përkohshme të një komisioneri të saj në Bruksel.
“Franca dhe Gjermania janë të rriturit e familjes që marrin vendimet e rëndësishme”, u shpreh Rama, duke shtuar se për vendet e vogla ka edhe një avantazh: nëse vendet e mëdha gabojnë, përgjegjësia nuk bie mbi anëtarët e rinj.
Plani që po shqyrtohet nga Komisioni Evropian synon të zbusë shqetësimet e vendeve ekzistuese anëtare se një BE më e madhe do të ishte më e vështirë për t’u qeverisur, veçanërisht për shkak të të drejtës së vetos.
Sipas Politico-s, një nga kufizimet e mundshme për anëtarët e rinj do të ishte pamundësia për të bllokuar sanksione apo vendime të tjera që kërkojnë unanimitet.
Shqipëria, e cila ka hapur tashmë të gjitha grup-kapitujt negociues, shihet si një nga vendet më të avancuara në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe nga Ukraina dhe Mali i Zi, të cilat insistojnë në anëtarësim të plotë me të drejta të barabarta, Tirana shfaqet më pragmatiste, duke theksuar rëndësinë e të qenit “brenda tryezës”.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, konfirmoi për Politico-n se propozimet konkrete për këtë model pritet të prezantohen në shkurt ose mars, duke paralajmëruar se “forca të jashtme shkatërruese” po punojnë kundër zgjerimit të BE-së.
Debati mbi anëtarësimin me dy nivele pritet të thellohet në muajt në vijim, ndërsa Shqipëria pozicionohet si një nga vendet më të gatshme për kompromis në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Advertisement