Connect with us

Aktualitet

Siguri financiare, këto shenja Horoskopi do të kenë Krishtlindje të mrekullueshme

Një yll ndërthuret me Historinë e Krishtlindjeve në një mënyrë të jashtëzakonshme. Jo vetëm që magjistarët e historisë biblike supozohej se ndoqën një lidhje madhështore midis Jupiterit dhe Saturnit për të gjetur Mesian e porsalindur, por të krishterët e hershëm ndërtuan kalendarin e tyre rreth kësaj periudhe të vitit për shkak të rëndësisë simbolike të solsticit dimëror.

Transitet e këtij dhjetori janë kryesisht pozitive, me Neptunin dhe Jupiterin në rrugën e duhur. Sigurisht që duhet një vëmendje e veçantë, për shkak të retrogradit të Mërkurit nga 13 dhjetori.

Perdja po mbyllet në një vit mjaft kaotik, por javët e fundit po duken mjaft mirë. Katër shenjat e mëposhtme ka të ngjarë të kenë sezonin e festave më luksoze, argëtuese, romantike dhe emocionuese.

Virgjëresha

Jupiteri dhe Urani formojnë një treshe në shenjën tuaj. Ky fat i mirë vazhdon ndërsa sezoni i festave sjell një tjetër tribunë harmonike për Mërkurin në shtëpinë tuaj të pestë të krijimtarisë. Viti që po lëm pas ka qenë produktiv dhe i frytshëm për ju dhe ka shumë mundësi që edhe ju të shijoni finalen e tij. Ngrini shampanjën tuaj dhe bëni dolli për sukseset e shumta që do të vijnë me siguri në 2024.

Akrepi

Afërdita në shtëpinë tuaj të parë ju jep pak më shumë zhurmë këtë sezon festash, kështu që nëse jeni beqar, përgatituni për disa takime, rilidhje dhe flirtim. Në përgjithësi, këtë sezon do t’i përjetoni në maksimum emocionet tuaja, por do ta keni edhe më të lehtë të flisni për to, me Merkurin në shtëpinë tuaj të tretë të komunikimit. Kjo është koha e përkryer për të folur me njerëzit që ju besoni për ëndrrat dhe idetë tuaja sekrete.

Shigjetari

Me Diellin dhe Marsin që ndriçojnë shtëpinë tuaj të parë për pjesën më të madhe të dhjetorit, do të ndiheni veçanërisht impulsiv. Ju prireni t’u thoni po ftesave për pushime dhe aventurave spontane, dhe me Marsin që ju jep shtytjen që ju nevojitet për të lëvizur, do të ndjeni kënaqësinë e sezonit të festave më shumë se kushdo këtë vit. Me Mërkurin në shtëpinë tuaj të dytë të financave, mund të prisni një rritje ose një bonus në punë ose disa para shtesë edhe nga njerëzit e dashur. Do ta mbyllni vitin duke u ndjerë të sigurt financiarisht dhe të emocionuar për atë që do të vijë.

Bricjapi

Ky është sezoni juaj, pasi Dielli së shpejti do të kalojë në shenjën tuaj. Pavarësisht reputacionit tuaj si një “shenjë pa emocione”, ju do të jeni më llafazan se zakonisht këtë vit. Kjo është një kohë e shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen tuaj për të dashurit tuaj dhe për t’u treguar atyre se sa shumë i vlerësoni ata. Fjalët do të rrjedhin më sinqerisht dhe më lehtë këto ditë, kështu që merrni pak kohë për të shkruar kartat e Krishtlindjeve ose për të shkruar planet tuaja për vitin 2024 dhe do të ndiheni edhe më mirë.

Aktualitet

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’ që futi në grackë qindra gjimnazistë

Klea Rama, një “hije” që askush nuk e di kush është dhe nga vjen, ngriti në “këmbë” një skemë mashtrimi që alarmoi edhe Ambasadën Amerikane në Shqipëri. ZËRI është kontaktuar nga ata që kanë rënë pre e skemës së mashtrimit, duke zbërthyer kështu të gjithë mënyrën sesi i janë afruar, zhvilluar bisedimet me ta…vetëm diçka ka mbetur ende e paqartë, fundi!

Por le të nisim me radhë shpjegimin!

Projekti ka nisur që vjet me konkursin për projektin më të mirë në lidhje me inovacionin, e më pas kur rinisi për herë të dytë mori formën e konkursit për bursa dhe u njoftua se do të bëheshin edhe provime. Fituesit do të kishin shpërblim. Paralelisht, në shkurt të këtij viti krijohet edhe një faqe në ueb, projekti “Let’s Talk Together About US” duke pretenduar se janë të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Qëllimi? Pretendohej se kishte për qëllim informimin dhe mbështetjen e maturantëve për jetesën, kulturën dhe universitetet amerikane.

Pjesëmarrësit në projekt do të duhet të dorëzonin projektet e tyre në fushën e inovacionit, e nëse do të shpalleshin fitues do të fitonin nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në bursë studimi. Ëndërr e bukur apo jo? Sidoqoftë për një maturant të një vendi si Shqipëria, ëndrra amerikane është gjithmonë e bukur dhe tërheqëse.

Për implementimin e kësaj skeme malinje në të gjitha gjimnazet e vendit, deri më tani organet shqiptare të hetimit akuzojnë drejtoreshën e DAR-it, Valentina Lamaj, e cila po hetohet për rolin e saj në këtë skemë. Ndërkohë që kalvarin e gjatë të përballjes me drejtësinë e ndjek drejtoresha e shkollës “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, një tjetër emër, një personazh atipik është zbuluar nga ZËRI si truri i skemës. Ajo është Klea Rama.

“Mbesa e Ramës”

Klea Rama, kështu të paktën pretendonte se e kishte emrin, prezantohej si mbesa e kryeministrit Edi Rama. Personazhin që kishte krijuar në kokën e saj e kishte të mirëmenduar dhe e dinte çfarë të thoshte për të mos u kapur kurrë. Pretendonte se ishte e “angazhuar” në zyrën e Jashtme të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe njëkohësisht studionte për mjekësi po në Shtetet e Bashkaura të Amerikës. Jo vetëm kaq! Në një llogari të krijuar në Instagram, Klea Rama postonte vazhdimisht me “xhaxhanë” e saj, kryeministrin Edi Rama.

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Postimi i Ramës dhe postimi i Kleas

Në fakt, ripostonte fotot që kryeministri i hidhte vetë në rrjetet e tij sociale, por përshkrimin e imazheve e bënte vete duke u kujdesur që të tregohej sa më e afërt dhe e dashur me të…tek e fundit e kishte xhaxha. Kishte një histori për të “shitur” dhe ia doli! Askush nuk e dyshoi kurrë!

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Postimet “fake” të Kleas

“Kur Rama ishte në mitingun që u zhvilluar me shqiptarët në Greqi, Klea publikon një bisedë me Linda Ramës që i thoshte: Klea, xhaxhi thotë se paska më shumë njerëz sesa “mitingu/mbledhjet” në Tiranë,”-këtë “bisedë” (sigurisht të stisur) e ka rrëfyer për ZËRI-n një nga viktimat e mashtrimit të Kleas.

Skemë thuajse perfekte! Veçse nuk kishte llogaritur një detaj të vogël; kuriozitetin e një adoleshente/adoleshenteje (nuk do ta identifikojmë me gjini për të ruajtur anonimatin e denoncuesit në fjalë). Ashtu siç rrëfeu për ZËRI-n, i njëjti person në fjalë donte të dinte nëse në të vërtetë kishte të bënte me mbesën e kryeministrit, kështu vendosi që të bënte vetë disa kërkime që i zbuluan të vërtetën para syve. Në bazë të informacioneve që janë në rrjet, në familjen Rama nuk ka asnjë person me emrin Klea, me të njëjtin inicial po. ZËRI mund ta konfirmojë se po, Rama ka një mbesë që jeton në SHBA, atje ku deri pak vitesh ka jetuar i vëllai, që po ashtu i nis emri me “K”, por nuk është Klea. Pra Klea Rama, duke vjedhur “identitetin” dixhital të mbesës së Kryeministrit arriti të hyjë nën hundën e Ministrisë së Arsimit, dhe të mashtrojë qindra gjimnazistë në shkollat e vendit.

Megjithatë për detajet e tjera ishte kujdesur fare mirë! Ky person, ishte në grupin e Whatsapp me numër amerikan dhe kishte foto profili një vajzë, fotot e së cilës janë marrë nga interneti, por që sigurisht që ngjason me mbesën e Ramës dhe nisi aksionin…

Një prej të mashtruarve ka treguar për ZËRI-n të gjithë skemën e mashtrimit që nga prezantimi i idesë në shkolla, deri në momentin e fundit të bashkëpunimit me të ashtuquajturin “projekt amerikan”.

*Rrëfimi i denoncuesit:

“Për herë të parë na është dërguar si të gjitha projektet e tjera. Është bërë në dy forma, për projektet inovative në fazën e parë, nuk fituam asgjë herën e parë. Mbaroi si gjë. Për herë të dytë vjen në 18 mars, kjo është forma e dytë për të cilën kemi rënë pre. U bë shorti live, konkursi u bë shumë korrekt. Fituesit dolën me një listë përfundimtare. Gjatë kësaj kohe, na patën kërkuar dhe një video për të thënë që projekti po ecën mirë. Pasi u shpallën fituesit po na kërkonin dokumente; një foto, fotokopje të kartës së ID dhe një vërtetim banke që keni mbi 600 euro në bankë. Tek formulari i aplikimit kërkohej edhe rroga mujore e prindërve. Ne nuk e kemi takuar kurrë Klean. Kontakti ynë ka qenë me Klean në Whatsapp, Valentina Lamajn dhe Fatbardha Beqirin. Para se të mbyllej projekti vijnë disa përfaqësues të këtij projekti dhe na treguan universitetet ku mund të aplikonim në SHBA. Ndërkohë na dhanë edhe një certifikatë sepse kishim kaluar të gjithë provimet me rezultate të mira. Deri më sot nuk e dimë se cili është fundi i kësaj skeme mashtrimi. Mësuesit që janë zgjedhur koordinatore nëpër shkolla për të na ndihmuar në projekt, jo vetëm që janë shqetësuar po aq sa në por edhe para zbulimit të skemës, ata nuk nuk kanë marrë asnjë bonus për punën jashtë orarit,”-tregon ai jashtë kamerave për ZËRI-n.

Deri në këtë pikë, askush nuk kishte dyshuar asgjë. Por lajmërimi rrufe nga Ambasada Amerikane, Policia e Shtetit dhe Prokuroria ndryshuan gjithçka! Edhe “Klea” vetë u shqetësua dhe këtë e tregojnë më së miri mesazhet që ajo shkëmbeu me gjimnazitët. Madje, i shtyu këta të fundit, duke i dhënë numrin e prokurorit të çështjes që të kontaktojnë me të dhe të dëshmojnë në favor të saj!

“Merreni dhe shkruajini që Klea s’ka ka kërkuar kurrë asnjë të mirë materiale në këmbim të vizës amerikane,”-shkruan ajo.

BISEDA E PLOTË NË GRUP:

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

U shtir si mbesa e Ramës, kush është Klea, ‘fantazma’

Klea Rama: Sapo e dërguam çështjen në prokurori.

A: Keni diçka zyrtare që mund të na dërgohet ne nxënësve që është vërtetë një projekt legjitim sepse dhe ne jemi të shqetësuar tani. Ju lutem na mirëkuptoni

Klea Rama: Be happy and smile! Don’t worry! (Rrini të lumtur dhe buzëqeshni, mos u shqetësoni!)

A: Kjo është shumë serioze, përderisa është bërë mediatike…Po vihet në dyshim vërtetësia e projektit dhe jemi nxënës të shqetësuar pasi nuk kemi informacion.

Klea Rama: Julian Malaj është prokurori, ku lutem të gjithë ti shkruani dhe që asnjë nga organizatorët nuk na ka kërkuar të dhëna materiale, lekë apo çdo gjë tjetër si kjo në këmbim të vizës amerikane apo çdo gjë tjetër. Projekti ka pasur synim informimin dhe më pas mbështetjen me bursa në rast se ne i fitojmë në universitetet përkatëse. Po nga universitetet. Pastaj, në rast se ju kanë kërkuar, shprehuni ta di edhe unë se unë nuk kam kërkuar gjë.
B: Unë nuk dua të jem më pjesë e këtij projekti! Faleminderit!

Por tashmë dyshimi ishte mbjellë në mendjet e tyre. Askush nuk e besoi më personazhin që kurrë nuk e kishin takuar në jetën e tyre, ndaj edhe zgjodhën ZËRI-n për të bërë denoncimin e tyre. Këtë fakt, ky personazh mistik duket se e ka mësuar pasi informohet në media dhe krejt papritur nga një person që të krijonte bindjen që nuk kishte asnjë problem me ligjin, ndryshon qasje.

“Për të gjithë ata që kanë shpërndarë lajme do të nis një kallëzim penal. Nuk duhet të publikonit numrin personal dhe foto. Ai që e ka bërë, është mirë që ta tërheqë mbrapsht sepse është vepër penale,”-u shkruan ajo.

Por edhe pse Klea kishte vjedhur fotot e Gracie Abrams, kërkonte që imazhi i vjedhur mos të denoncohet më tej në media. Çudira shqiptare apo jo?

ZËRI tentoi që të kontaktonte me numrin e telefonit të vënë në dispozicion nga Klea Rama. Por deri në publikimin e këtij materiali, telefonatave nuk u është përgjigjur kurrë! A ekziston vërtetë Klea, apo është një personazh i shpikur nga organizatorët realë të skemës për të faturuar “përgjegjësinë” në një numër të huaj Whatsappi këtë nuk dimë ta themi. Ajo që nxënësit pohojnë është fakti se Klea Ramën nuk e kanë takuar kurrë, ndërsa nga verifikimet tona rezulton se të gjitha prezantimet janë bërë pa praninë e saj, por mësueset koordinatore kanë lexuar disa letra të dërguara prej saj për nxënësit.

“Ministria e Arsimit, han pa porta”

Praktikat e bashkëpunimit të shkollave, qoftë gjimnaze dhe universitete me ambasadat e huaja në Shqipëri nuk janë të panjohura. Madje në të shumtën e rasteve janë mundësia më e mirë për studentët e talentuar që të shprehin potencialin që kanë, i cili në shumë raste është i madh për Shqipërinë tonë të vogël. Ndaj dhe kjo skemë nuk është parë si një “scam/mashtrim” nga studentët, aq më tepër kur deri në momentin kur u zbulua nuk u ishin kërkuar më shumë para.

Pastaj pse duhet që ta dyshonin, kishin si garant Ministrinë e Arsimit!

Prova e vërtetë është videoja e mëposhtme!

VIDEOJA E LET’S TALK TOGETHER ABOUT US 2024:

Nina Guga, zv.ministre e Arsimit dhe Sportit i dërgon një përshëndetje të përzemërt Kleas që sapo kishte ndërmarrë këtë projekt të ri.

“Përshëndetje të dashur nxënës, të dashur mësues dhe koordinatorë të projektit, e dashur Klea përzemërsisht të uroj gëzuar festat. Qoftë një vit i mbushur me suksese dhe realizime!,”-thotë zonja Guga duke na provuar se Ministria e Arsimit ka qenë në dijeni të këtij projekti.
Pikërisht ky fakt është edhe më i rëndi. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi asnjë provë se përse ka ndodhur mashtrimi, cili ka qenë përfitimi i Kleas dhe i mikeshave të saj, por si e kanë marrë “ok” nga Ministria e Arsimit, kjo është çështja?

Vërtetë kanë besuar është e afërmja e kryeministrit dhe i kanë dhënë liri për të vepruar në të gjithë gjimnazet e vendit? A kanë pasur komunikim me Ambasadën Amerikane për të qenë të sigurtë që ky projekt kishte mbështetjen e tyre? A u verifikua ndonjëherë dokumentacioni i organizatës, apo më keq akoma, nuk ka patur as organizatë? ZËRI ia dërgoi këto pyetje MASR, por edhe pse ka kaluar një javë që nga denoncimi i projektit, ka vetëm heshtje.

Në këtë rast, fundi i kësaj historie fatmirësisht ka përfunduar pa dëme, por dyshimi në kokën e çdo nxënësi se përse iu vodhën të dhënat personale është një gjurmë që nuk ikën lehtë./ZËRI

Continue Reading

Aktualitet

Hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, agjentët e BKH-së kontrolle në disa banesa

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit po kryejnë disa kontrolle nëpër banesa në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për inceneratorin e Tiranës.

Bëhet me dije se kontrollet po zhvillohen me urdhër të prokurorit Dritan Prençi. Po ashtu, pak ditë më parë SPAK zgjati me 3 muaj hetimet.

lajmi ne perditesim

 

Continue Reading

Aktualitet

Basha të krijojë parti të re/ Mërtiri: Bashkim me Berishën, e pamoralshme

Politologu Ergys Mërtiri thotë se Lulzim Basha duhet të krijojë një forcë të re politike, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që i dha Sali Berishës vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Mërtiri u shpreh se një bashkim i Bashës me Berishën, do të ishte diçka e neveritshme dhe e pamoralshme.

Sipas Mërtirit, kur vendos vija të kuqe, nuk duhet të ketë kthim pas.

“Ky është një moment që ata janë duke reflektuar dhe duke kërkuar besoj unë, rrugën më të mirë. Unë mendoj që rruga më e mirë është që ata të bëjnë një parti të re, çështja ligjore edhe mund të vazhdojë. Të mos presin vendime gjykate që mund të zgjasin me vite, por të bëjë një parti të re dhe secili të ndjekë rrugën e vetë. Kjo ndoshta ka qenë gjëja e duhur që duhet të ishte bërë që në fillim. Kjo nuk ndodhi, për shkak se palët këmbëngulën me kokëfortësi tek vula, selia, materia, kjo ka shkatërruar të dyja palët, ka sjellë një opozitë më të dobët se kurrë. Një luftë që ka sjellë shkatërrimin e opozitës. Sot, kur shoh nga krahu fitues që flasin për bashkim, më duket më e neveritshme se koha kur luftonin me njëri-tjetrin. Kur njerëzve që ke lançuar akuza, sot bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Secili bën zgjedhjen e vet. Nëse ti e shkel vijën e kuqe, pse vendos vija të kuqe? Kjo treegon që ata janë të papërgjegjshëm politikisht.

Në sytë e publikut kjo është e neveritshme. Nuk e bëjnë për parime, por për interesa të vogla të tyre, interesa korruptive. Një opozitë që e bën këtë, është një opozitë e pabesueshme. Nëse këta puqen, mund ta bëjnë, por do humbin besueshmërinë e publikut. Të ndarë janë më të fituar. 33 vjet kjo politikë është bërë, duhet të marrë fund, është e neveritshme. Nuk mund të ecet gjithmonë kështu. Vjen një moment që nuk të beson më askush. Partia që mori nuk ishte aq gati dhe nuk ishte aq e marrë. Nuk e kishte nën kontroll vetë. Një parti e tillë me kryetar të dubluar, nuk mund të jetë fituese. Publiku nuk mund ta pranojë. Nëse bëhet parti e re, do jetë pa lider të dubluar. Do jetë të paktën e vërtetë. Basha është i dobët, por në plan më afatgjatë, asgjë nuk është e pamundur”, theksoi ai.

Continue Reading

Aktualitet

Karkaleci pushton Dumrenë, insekti dëmton të mbjellat, ankohen fermerët

Qindra hektarë tokë bujqësore në zonën e Dumresë janë pushtuar nga karkaleci i cili ka dëmtuar të mbjellat. Infeksioni më i madh paraqitet në zonën e Belshit, por vatra sporadike ekzistojnë edhe në fshatra të tjerë.

Sipas fermerëve karkaleci ka dëmtuar të gjitha të mbjellat, ndërsa tashmë po dëmton pemëtarinë.

“Nuk kam korr asnjë kostër, spërkatje I kam bërë tre katër herë s’ka bërë efekt, përveç se duhet ta provoj bashkia spërkatje ajrore. Humbja ka qene mbi 300 mije lekë, kjo është e vazhdueshme vjet ai bëri namin”

“Jonxhat njëherë i ka bërë copa, ja dil e shikoi hy te fushat aty i ke direkt. “

“Shumë këtë kohë ka shumë dhe vjet qe shumë por edhe sivjet ka shumë.”

Në një situatë ku fermeri po dëmtohet çdo ditë nga ky insekt, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve, pasi ka inspektuar situatën në terren thotë se sipërfaqe të tëra në Belsh ndodhen në kushtet e emergjencës.”

Kreu i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve (RVMB)

“Jemi në kushtet e emergjencës për vete faktin se zona e Belshit është një zonë aktive, është ndërhyrja e dytë që bëjmë. Kemi vatra të reja të cilat me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë sot kemi marrë të gjitha masat për të ndërhyrë, në të gjitha parcelat e prekura nga karkaleci Maroken dhe Italian. Është një insekt i cili sjell dëme të konsiderueshme”

Një situatë e tillë në zonën e Drumresë përsëritet prej tre vitesh. Dezinfektimet sporadike të vetë fermerëve rezultojnë të pasukesshme pasi karkaleci lëviz dhe rikthehet./Euronews Albania

Continue Reading

Aktualitet

A do të ulet çmimi i naftës? Koncesioni i markimit i kalon shtetit

Koncesioni i markimit me kosto për qytetarët “1 lek në çdo një litër karburant” nuk do të rinovohet më. Shërbimi, qëllim i së cilit ishte garantimi i cilësisë së karburanteve dhe parandalim i kontrabandës do të menaxhohet nga vetë shteti. Me urdhër të ministrit të Financave është ngritur grupi i punës për të kaluar të gjitha asetet nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

“Qeveria ka paguar 11.7 miliardë lekë detyrime për këtë koncesion. Ky koncesion do të merrte në konsideratë kontrollin e cilësisë hidrokarbure në vend. Kjo sepse bëhej fjalë՞ që produktet e importit përziheshin me ato të vendit dhe cilësia ulej”, tha gazetari i ekonomisë Bardhi Sejdarasi.

Markimi, i cili konsiston në hedhjen e një pigmenti identifikues te karburantit i importuar para se ai të shitej në treg, me synimin e identifikimit se sa prej naftës së tregtuar ishte e përzierë me karburant të pa-zhdoganuar u dha si koncesion në kohën që vendi qeverisej nga Partia Demokratike. Ai hyri në fuqi në korrik të 2013-ës dhe afati 10-vjecar i mbaroi vjet në gusht, por qeveria vendosi ta shtynte me 1 vit.

“Sot ne nuk kemi asnjë rezultat konkret që lidhet me raportet e kontrollit të cilësisë së këtyre produkteve. As kompania e ministria e përkatëse dhe as autoriteti kontraktor që mbikëqyr zbatimin e këtij shërbimi nuk ka asnjë raport që të tregojë se çfarë është bërë në drejtim të garantimit të cilësisë.”

Po si do të përkthehet në xhepat e qytetarëve shqiptarë kalimi i shërbimit të markimit nga privati te shteti?

“Nuk gjykoj që do të mbetet në këto nivele që është. Çështja e tarifave besoj se është një çështje që do të vendoset nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.”

Markimi është shërbimi i tretë, pas Kontrollit Teknik të Automjeteve dhe pullave fiskale që kalon nga koncesionari te shteti./ A 2 CNN

Continue Reading
Advertisement

TRENDING