Aktualitet
SPECIALE | Kurti – Vuçiç, takim i pashpresë/ Escobar: Kurti nuk më dha zotime konkrete
Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka folur në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se pret që palët t’i marrin seriozisht detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve. Escobar për Zërin e Amerikës ka folur edhe zgjedhjet në veri të vendit dhe për masat ndëshkuese që mund të pasojnë nëse nuk ka përparim. I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esoabar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që palët t’i marrin me seriozitet detyrimet nga marrëveshja. “Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga marrëveshja dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit.” – ka thënë ai. “Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet, dhe çështje të tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash.” – ka thënë ai. Më tej, Esobar ka folur edhe për bisedën që pati ditë më parë me Kurti, duke thënë se nuk ka pranuar ndonjë zotim nga Kurti. “Nuk kam marrë zotim nga Kurti.” – ka thënë fillimisht Esobar, kur u pyet se ka marrë një lloj zotimi nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes dhe për pjesëmarrje në “negociata aktive.” “Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë.