Aktualitet
SPECIALE l Sebepi për luftë?/ Serbët në veri ndihen të pasigurt në duart e kosovarëve
“Si mund të kem [besim në Policinë e Kosovës] kur ata qëllojnë, arrestojnë njerëz… Si mund të kem besim tek ata?”. Kjo ishte përgjigjja e Jovan Aleksiqit, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse ai i besonte Policisë së Kosovës pas incidentit të 11 prillit kur një zyrtar policor i Kosovës plagosi Milan Jovanoviqin, derisa siç u tha, ai dyshohet se nuk u ndal në një pikë kontrolli. Jovanoviq u plagos në rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq. Për këtë rast u arrestuan katër zyrtarë policorë, K.P i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulim me prova”. Të tjerët F.M, S.U dhe M.M u arrestuan për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”. Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi për REL-in se ka kërkuar shqiptimin e paraburgimit për një muaj për të gjithë. Njëjtë si Jovani, edhe Teodora Zhivkoviq, thotë se nuk ndihet e sigurt pasi dyshon se ajo që i ka ndodhur Millanit, mund t’i ndodhë kujtdo tjetër. Pas tensioneve të vitit të kaluar dhe tërheqjes së serbëve të komunave në veri nga institucionet e Kosovës, policia ka vendosur disa postblloqe në rrugët kryesore që çojnë në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë. Javë më parë një incident i ngjashëm kishte ndodhur kur zyrtarët policorë të Kosovës qëlluan me armë zjarri drejt një veture, e cila pasi e kishte goditur automjetin e policisë, nuk ishte ndalur në pikën e kontrollit. Në këto pika kontrolli zakonisht qëndrojnë pjesëtarë të njësive të specializuara të policisë. Në deklaratat publike të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, nuk janë bërë publike të gjitha rrethanat e plagosjes së Millan Jovanoviqit. As Prokuroria Themelore e Mitrovicës, që po e heton rastin, nuk ka treguar për REL-in nëse ka arritur të intervistojë të viktimën.