Politike
Sulme? Dumani thyen heshtjen për deklaratat e Ramës: Nuk më interesojnë deklaratat por provat
Kreu i SPAK, Altin Dumani i ka cilësuar protesta para godinës së SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj nga administrata e Bashkisë së Tiranës si ngjarje të shëmtuara. Dumani theksoi se kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe nuk u morën masa. Kreu i SPAK theksoi nga Komisioni i Ligjeve se kjo ngjarje nuk duhet të ndodhë asnjëherë më.
Kurse për deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama pas arrestimit të Veliajt dhe a ka vija të kuqe për hetimin e kreut të qeverisë, të cilat SPAK nuk i shkel dot, ai u shpreh se deklaratën e kryeministrit e kam konsideruar si retorikë politike,.
“Ishte një shfaqje e shëmtuar, isha atë ditë aty, ngjaje e shëmtuar. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, u përjetua nga prokurorët. Në mënyrë institucionale njoftuam institucionet përgjegjëse, që nuk i kishin marrë masat e nevojshme. Sjell përvojën time, kur me vështirësi kemi kaluar, me rrezikun në turmat e njerëzve për të kaluar aty dhe ju e patë edhe vetë atë ditë, kisha emergjencë familjare, isha i detyruar që të bëja atë lëvizje se edhe mund ta vonoja dy orë, por isha i shqetësuar se kisha edhe trupën e shoqëruesve dhe mund të rrezikohej, por ata vepruan me profesionalizëm. Kjo ngjarje nuk duhet të ndodhë asnjëherë më.
E thashë edhe njëherë, sa i përket pyetjes së dytë, nuk ka rëndësi emri, por prova. Për sa kohë ka prova, nuk ka më rëndësi emri i personit. Deklaratën e kryeministrit e kam konsideruar si retorikë politike, nuk më interesojnë deklaratat por provat. Dhe nëpërmjet provave ndërtohen çështje të suksesshme.
Policia e Shtetit ka djem e vajza shumë të mirë për detyrën, e me të cilët në bashkëpunojmë. Për rastet që kemi pasur kemi vepruar dhe kemi goditur grupet kriminale. Kemi përgatitur një material përkatës se si ne i konsiderojmë këto ndryshime të Kodit Penal. Kemi përfunduar pjesën e përgjithshme, po punojmë për pjesën e posaçme, jemi ende në proces, për të vlerësuar çështjet me kompetencën tonë. Do japim mendimet tona më vonë, s’mund të themi gjë për momentin. Do paraqesim kundërshtimet tona nëse do kemi”, tha Dumani