Bota
Sulmet nga Trump, kreu i NATO-s: Europa ka 500 mln banorë, s’mund të mbahet pas Amerikës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka reaguar sërish për kritikat e Donald Trump ndaj aleancës ushtarake, tashmë të shoqëruara edhe me vendime për tërheqjen e disa trupave amerikane.
Megjithatë, si edhe më parë, Rutte e cilësoi këtë qasje si “të shëndetshme”, duke argumentuar se ajo po e shtyn Europën të bëjë më shumë dhe të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e vet.
“Europa, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Norvegjinë ka mbi 500 milionë banorë. Ne përballemi me një kundërshtar si Rusia, me rreth 120 deri në 140 milionë banorë, dhe aktualisht jemi tepër të varur nga një aleat i vetëm me rreth 350 milionë banorë, që të sigurojë mbrojtjen tonë kundër Rusisë. Kjo nuk është e qëndrueshme në afatgjatë dhe ai aleat nuk mund të vazhdojë t’ia shpjegojë këtë vazhdimisht publikut të vet,” deklaroi Rutte.
Ai u pyet gjithashtu në lidhje me propozimet e tij që vendet evropiane të NATO-s të shpenzojnë 0.25% të PBB-së së tyre për ndihmë për Ukrainën, dhe theksoi se roli i tij është “ndonjëherë të sjellë propozime të guximshme në tryezë, dhe pse ndonjëherë ato nuk do të pranohen.”
Rutte tha se ka “shumë kundërshtime kundër 0.25% fiks”, por ai donte një debat se si Ukraina do të vazhdojë të mbështetet.
“Ukraina nuk mund të mbijetojë pa këtë rrjedhë të rëndësishme të pajisjeve amerikane, prodhimit industrial në Ukrainë, duke përfshirë sistemet anti-raketore dhe raketat anti-raketore, interceptorët; kjo është gjë thelbësore”, tha shefi i NATO.
Ai u shpreh se dëshiron që aleatët të jenë të ndershëm me njëri-tjetrin dhe të kuptojnë se si mund ta ndajnë këtë barrë.
Mark Rutte, u pyet gjithashtu për retorikën dhe kërcënimet në rritje të Rusisë ndaj Letonisë dhe vendeve baltike, të raportuara edhe një ditë më parë.
Moska vazhdon të pretendojë se Letonia, dhe potencialisht vende të tjera baltike, po përgatiten t’i japin Ukrainës leje për të sulmuar territorin rus me dronë nga territoret e tyre.
Megjithatë, Letonia dhe Ukraina i kanë hedhur poshtë vazhdimisht këto pretendime, duke i cilësuar si “gënjeshtra”.
Rutte i quajti deklaratat ruse “plotësisht qesharake”, duke shtuar se edhe vetë Rusia e di se këto pretendime nuk janë të vërteta.
