Connect with us

Politike

Sulmoi Gonzato-n/ Ambasadorët e vendeve të BE-së i përgjigjen Berishës

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë reaguar pas sulmeve të fundit ndaj Silvio Gonzatos, të bëra nga Sali Berisha, i cili e cilësoi atë si “ambasador të Ramës”.

Deklarata e përbashkët u shpërnda nga ambasadori i Qipros në Athinë, i cili mbulon edhe Shqipërinë, Stavros Avgoustides.

Në deklaratë thuhet se ambasadorët qëndrojnë të bashkuar ‘në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar’.

“Në Ditën e Evropës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”- thuhet në Deklaratëm e Përbashkët e Ambasadorëve të BE-së të akredituar në Shqipëri – 9 Maj 2026.

Sulmet e Berishës

Dje, në Ditën e Europës, kreu i demokratëve, Sali Berisha ka shpërthyer në akuza ndaj kreut të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

Me tone të ashpra, Berisha e ka quajtur Gonzaton si “ambasadorin e Edi Ramës”, që sipas tij ka transmetuar informacione të pavërteta në Bruksel.

Berisha është shprehur si Gonzato është i unifikuar në qëndrime me qeverinë Rama, ndërkohë që nuk ka nguruar të akuzojë dhe paraardhësit e tij, të cilët i ka quajtur si të korruptuar.

“Mendoj se partnerët tanë kanë realizuar se çfarë përfaqëson Edi Rama dhe qeveria e tij. Natyrisht, dua të jem i sinqertë, Edi Rama e ka bazuar kryekëput procesin e integrimit në lobim korruptiv. Lobim të fuqishëm korruptiv. Nuk është e largët dita kur raportet që shkonin në Komisionin Europian nga përfaqësuesja e tij, hajdutja Romana Vlahutin, shkruheshin në zyrat e Edi Ramës dhe firmoseshin nga ajo.

Shqiptarët dëgjuan se si u arrestua Federica Mogherini, e cila ndër të tjera ishte edhe mikeshë më e dashur e Edi Ramës. Nëse u arrestua në Bruksel për 3 milionë euro, unë ftoj Prokurorin Publik Europian, ftoj OLAF-in të vijnë të hetojnë marrëveshjen korruptive të saj me Edi Ramën, që shkonë deri në 20 milionë euro. Po imagjinoni ju forcën dhe peshën e saj në lobim. Imagjinoni ju dhjetëra milionë euro që shpenzon për të korruptuar.

Kurse për sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar edhe shumë të tjera. Dhe se kur diskutohet pse nuk iu hoq imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij, Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit.

Në një kohë kur prej vitit 2009, 2010, 2011, sa herë ka kërkuar Prokurori i Përgjithshëm, janë hequr imunitetet pa asnjë koment, zv.kryeministrit, ministrave e me radhë.

Por ne jemi ata që i themi gjërat haptazi. Dhe është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm të BE-së ia kanë bërë të qartë se opozita dhe PD-ja janë thellësisht të pozicionuara për integrimin në BE dhe janë partnerët tanë, i është thënë shkëlqesisë së tij.

Ai ka bërë zgjedhjen e tij, është unifikuar me Edi Ramën dhe sa herë thoja unë ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist tjetër në KE, lëshojnë deklarata. Unë shqiptarëve dhe partnerëve evropianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha Berisha.

Advertisement