Aktualitet
Tafani: Nëse droni goditi qëllimisht Rumaninë, është mesazh për NATO-n
Analisti i sigurisë Endri Tafani deklaroi në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV se vetëm një hetim i detajuar teknik mund të përcaktojë nëse droni që përfundoi në territorin rumun kishte si objektiv të qëllimshëm Rumaninë apo ishte devijuar gjatë fluturimit.
Sipas Tafanit, autoritetet duhet të analizojnë të dhënat e radarëve dhe trajektoren e plotë të mjetit fluturues për të kuptuar nëse ai ka ndryshuar kurs për shkak të ndërhyrjeve të luftës elektronike apo ka ndjekur që nga fillimi një rrugë të planifikuar.
“Lufta elektronike mund të bëjë që një dron të humbasë objektivin e tij, të rrëzohet ose të devijojë plotësisht trajektoren. Por kjo mund të vërtetohet vetëm duke analizuar të gjitha të dhënat teknike”, u shpreh ai.
Tafani theksoi se, nëse hetimet tregojnë se droni ka ndjekur një trajektore të rregullt dhe të qëllimshme drejt zonës së goditur, atëherë situata merr një dimension politik dhe diplomatik shumë më serioz.
Sipas tij, në një skenar të tillë mund të bëhet fjalë për një mesazh ndaj Europës dhe NATO-s, me synim testimin e gatishmërisë ushtarake dhe politike të vendeve anëtare.
“Nëse rezulton se goditja ka qenë e qëllimshme, atëherë mund të interpretohet si një test i kohës së reagimit të Rumanisë, i kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe i vendosmërisë politike të NATO-s përballë incidenteve të tilla”, deklaroi Tafani.
Ai shtoi se çdo përfundim do të shoqërohej me përplasje diplomatike, pasi Rusia pritet të mohojë çdo akuzë për një goditje të qëllimshme, duke e bërë të vështirë arritjen e një konsensusi publik mbi ngjarjen.