Politike
Tedi Blushi: Presidentit të PL nuk i lejohen takime apo telefonata, komunikojmë me letra
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka folur me tone të ashpra për arrestimin dhe kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, të cilin e cilësoi si “rrëmbim mafioz” dhe “burgim politik”.
Në një intervistë Blushi u shpreh se ndaj Partisë së Lirisë ka pasur një agresion të vazhdueshëm politik, ndërsa pretendon se e njëjta skemë që sipas tij u përdor ndaj Partisë Demokratike, u tentua të përsëritej edhe ndaj PL-së.
“Partia e Lirisë është një parti që prej më shumë se një viti ka qenë një agresion nga regjimi i Ramës që bëri çdo përpjekje për të rrëmbyer këtë forcë politike siç ndodhi me PD. I njëjti skenar u tentuar të përsëritej por sigurisht dështoi me sukses dhe si zgjidhje mbeti rrëmbimi mafioz i zotit meta. Të gjithë e dimë se si u rrëmbye Meta. Dhe e vetmja meritë e këtij regjimi është e i ka bërë zotit Meta një vetting dhe ka rezultuar se është zbuluar zero fakt penal, zero dëm i interesit publik. Është burgim politik…Dhe nuk ka asnjë arsye përveç asaj politike. Zoti Meta është në izolim ekstrem dhe në kushte ekstreme. Pra po e shohim e si respektohet Konventa Evropiane në një vend si ky ku Edi Rama ka kapur të gjitha pushtetet”, tha mes të tjera ai.
Sipas tij, Meta ndodhet në “izolim ekstrem”, gjë që sipas tij bie ndesh me Konventën Evropiane dhe standardet e trajtimit të të paraburgosurve.
Ai shtoi se Metës nuk i lejohet asnjë kontakt përveç familjarëve, duke e vështirësuar funksionimin normal të partisë.
“Partia e Lirisë drejtohet nga presidenti Ilir Meta pavarësisht statusit të tij juridik. Mënyra e drejtimit sigurisht nuk është e lehtë. Nuk kemi mundësi ta takojmë zotin Meta na është hequr e drejta për të komunikuar me telefon. Komunikojmë me letra, ose Meta duhet të mos takojë familjarët e të takojë deputetët. Kam një autorizim nga prokurorit e SPAK që të takohem në mënyrë të kufizuar me të por kjo nuk po më lejohet”, tha ai.
Blushi shtoi se gjatë një prej takimeve, Meta është detyruar të heqë dorë nga takimi me familjarët për të parë drejtuesit e partisë, ndërsa u ankua se edhe dërgimi i librave nuk lejohet, përveçse nëpërmjet familjes.
“Prej 7 muajsh nuk më lejohet të flasim as në telefon. Kur e takova Meta sakrifikoi takimin me familjarët për të takuar drejtuesit të partisë. Nuk na lejohet t’i çojmë as libra për të lexuar, duhet t’ia dërgojë familja. Mandelës i lejohej të luante tenis, Metës nuk i lejohet as të stërvitet”, tha ai.