Bota
IRANI KA SULMUAR ANIJE NE NGUSHTICEN E HORMUZIT
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka ndërmarrë sulme ndaj anijeve të vendeve të tjera në ngushticën e Hormuzit, në kuadër të tensioneve të reja që lidhen me operacionin amerikan “Project Freedom” për garantimin e lirisë së lundrimit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani ka qëlluar ndaj “vendeve të palidhura me konfliktin për shkak të lëvizjes së anijeve në korridorin detar, duke përmendur konkretisht një anije mallrash nga Koreja e Jugut,
“Irani ka qëlluar ndaj disa kombeve të palidhura me situatën për shkak të lëvizjes së anijeve në kuadër të PROJECT FREEDOM, përfshirë një anije mallrash koreano-jugore. Ndoshta ka ardhur koha që Koreja e Jugut t’i bashkohet misionit”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur shtatë mjete të vogla detare iraniane, të cilat ai i përshkroi si “varka të shpejta”, duke ironizuar kapacitetin ushtarak të Teheranit.
“Ne kemi rrëzuar shtatë varka të vogla, ose siç u pëlqen atyre t’i quajnë, ‘fast boats. Kjo është gjithçka që u ka mbetur”, deklaroi Trump.
Sipas tij, përveç incidentit me anijen koreano-jugore, deri tani nuk ka pasur dëme të tjera gjatë kalimit në ngushticën strategjike të Hormuzit.
Trump njoftoi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura amerikane, Dan Caine, do të mbajnë një konferencë për shtyp mëngjesin e së martës për të dhënë detaje mbi situatën.