Connect with us

Politike

Vasili: Shteti përdor ‘maskarenj’ pa uniformë, policia është kthyer në organizatë kriminale

Në një analizë të situatës pas protestës së opozitës, ish-deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka lëshuar akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit dhe qeverisë, duke e cilësuar reagimin e forcave të rendit si tërësisht të paligjshëm dhe të diktuar nga frika e kryeministrit Edi Rama. Vasili denoncoi një fenomen edhe më të rëndë: përdorimin e individëve të paidentifikuar, me maska dhe xhupa të zinj, të cilët veprojnë si grupe paraushtarake për të rrëmbyer dhe dhunuar protestues.

Sipas tij, protesta ishte madhështore dhe paqësore, por përballë saj u vu një polici që nuk vepron sipas ligjit apo proporcionalitetit, por “vetëm e vetëm sipas shkallës së frikës së Edi Ramës”. Ai e quajti kryeministrin një “frikacak të noterizuar”, duke argumentuar se sa më i trembur të jetë ai, aq më i dhunshëm bëhet reagimi i policisë. Përdorimi pa kriter i gazit lotsjellës, i cili helmoi edhe qytetarë në banesat e tyre, si dhe arrestimet e të miturve, janë dëshmi, sipas tij, se policia po vepron si një “organizatë kriminale”.

Akuza më tronditëse e bërë nga ish-deputeti ishte ajo për ekzistencën e “maskarenjve me xhupa të zinj”. Ai deklaroi se këta individë të paidentifikuar, shpesh me makina private, marrin pjesë në operacione duke rrëmbyer qytetarë, një praktikë që ai e ka denoncuar edhe më herët në Parlament. “Kush janë këta maskarenj të cilët kanë marrë statusin që arrestojnë njerëz, i dhunojnë, i marrin, i fusin në makina? Pra, paramilitarë, mafiozë dhe kriminelë aktivizohen siç duhet,” deklaroi Vasili. Qëllimi i kësaj strategjie, shpjegoi ai, është që të kryhet dhunë brutale pa u identifikuar autorët, duke i mundësuar shtetit të shmangë përgjegjësinë ligjore.

Kjo metodë, sipas tij, nuk përdoret vetëm ndaj protestuesve të thjeshtë, por ka prekur edhe nivelet më të larta, duke përmendur rastin kur ish-presidenti Ilir Meta u ndalua dhe u mbajt për dy orë nga persona të paidentifikuar. “Statusi i kriminelëve të paidentifikuar, pra që bëjnë krimin, zhduken dhe mbulohen, po përdoret në mënyrën më të poshtër dhe më mafioze,” shtoi ai. Në përfundim, Vasili theksoi se një polici, drejtuesit e së cilës akuzohen për shitje informacioni te krimi, nuk mund të quhet më një institucion ligjzbatues. Ai u shpreh se pavarësisht situatës së brendshme, rezultati kryesor politik i kësaj ngjarjeje është diskreditimi ndërkombëtar i qeverisë shqiptare, pasi mediat botërore pasqyruan imazhin e një “klike kriminale” që shtyp qytetarët e saj, të cilët kërkojnë vetëm largimin e hajdutëve nga pushteti.

Advertisement