Politike
Vendimi/ Kërkesa e Metës u refuzua, ja pse votuan 5 gjyqtarë kundër
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 8 prillit për ish-Presidentin Ilir Meta, ku kjo gjykatë rrëzoi me shumicë votash ankimin e Ilir Metës, i cili kërkonte shpalljen antikushtetuese të masës “arrest me burg” dhe kundërshtonte mënyrën e ekzekutimit të saj.
Gjyqtaret Marjana Semini dhe Marsida Xhaferllari kanë votuar për pranimin e kërkesës së Metës, për prishjen e vendimit për masën e sigurisë. Ndërsa 5 gjyqtarë të tjerë kanë votuar kundër kërkesës së ish-Presidentit. Gjytarja Sonila Bejtja ka dalë me mendim të vetin, pro kërkesës së Metës.
Kushtetuesja ka konstatuar se ankimi i Metës është paraqitur në mënyrë të rregullt dhe evidenton se ekziston një pretendim serioz për përdorim të tepruar të forcës gjatë arrestimit, për të cilin ka pasur edhe vërejtje kritike nga Avokati i Popullit.
Dy gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari dhe Marjana Semini, kanë votuar kundër vendimit të shumicës.
Ato nuk bien dakord me rrëzimin e kërkesës së Ilir Metës. Sipas tyre, pretendimi i Metës për cenimin e nenit 25 të Kushtetutës (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor, mizor ose poshtërues) ishte i bazuar.
Në thelb, ato vlerësojnë se kishte elemente të mjaftueshme për të konstatuar një shkelje të mundshme të të drejtave themelore gjatë arrestimit të tij.
Dy gjyqtaret nuk po thonë domosdoshmërisht se Ilir Meta është keqtrajtuar, por se pretendimi i tij ishte mjaftueshëm serioz dhe i mbështetur sa për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, pa pritur përfundimin e procedurave të tjera penale ose civile. Kjo është arsyeja kryesore e mospajtimit të tyre me vendimin e shumicës.
Në 8 prill të këtij viti, ish-presidenti Ilir Meta e humbi betejën për liri edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe do të vijojë të qëndrojë në burg. Me shumicë votash, gjyqtarët e Kushtetueses vendosën rrëzimin e kërkesës së kreut të Partisë së Lirisë për shfuqizimin e masës së sigurisë arrest me burg. Kushtetuesja rrëzoi edhe dy pretendimet e Ilir Metës se masa e sigurisë ndaj tij është joproporcionale dhe se mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ka fakte dhe informacione të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se ish-presidenti mund të ketë kryer veprat penale, për të cilat akuzohet dhe po mbahet në qeli që prej 21 tetorit 2024.
Për mënyrën e arrestimit në tetor 2024, të cilën Meta e quan çnjerëzore dhe poshtëruese, Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh. Me shumicë votash, Gjykata vlerësoi në 8 prill se nuk mund ta marrë në shqyrtim, pasi çështja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, atje ku Meta ka depozituar një kallëzim pas arrestimit nga forcat Operacionale në hyrje të kryeqytetit, ndërsa po kthehej nga Kosova. Do duhet që kjo padi e Metës të shqyrtohet nga tre shkallët e Gjyqësorit, që më pas të shprehet Kushtetuesja.
Lajm në përditësim..
Dokumenta bashkëngjitur
