Thinking ...
Connect with us

Kosova

Vendimi për ish krerët e UÇK mund të sjellë trazira? Rutte: KFOR është aty…

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se angazhimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin më 16 shtator vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katër ish-pjesëtarët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha dhjetë pikat e aktakuzës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte tha se KFOR-i do të vijojë misionin e tij në Kosovë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Sipas tij, angazhimi i NATO-s vlen pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin gjatë kësaj jave apo në periudhën në vijim.

Rutte theksoi se NATO do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, në mënyrë që misioni të përshtatet me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai nënvizoi gjithashtu se zhvillimet në Kosovë kanë ndikim edhe në stabilitetin e rajonit.

Deklaratat e shefit të NATO-s u bënë disa orë pasi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë paralajmëroi qytetarët amerikanë për protesta të mundshme më 16 shtator. Sipas ambasadës, disa organizata kanë paralajmëruar demonstrata të mëdha në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të Kosovës, të cilat mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha, bllokime rrugësh dhe vështirësi në qarkullim.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka zhvilluar takime me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në. Në këto takime është prezantuar plani i masave dhe angazhimet e policisë për zhvillimet e pritshme më 16 shtator.

Vendimi në Hagë do të shpallet vetëm katër ditë pas “Marshit për Liri”, ku mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë duke kërkuar një vendim të drejtë dhe të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së.

Prokuroria e Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë luftës. Aktakuza përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre.

Katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023. Vendimi i 16 shtatorit pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të këtij institucioni, i krijuar në vitin 2015 për shqyrtimin e pretendimeve për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999./ REL

Advertisement