Connect with us

Kronike

VIDEO NGA ARRESTIMI I VRASESIT TE TURISTIT

Është arrestuar në Fier Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes në Ksamil.

Sipas raportimeve, Vata u lokalizua në Fier, ku dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Makina drejtohej nga një vajzë, ndërsa në të ndodhej edhe një person tjetër. Policia ndërhyri dhe bëri të mundur arrestimin e 29-vjeçarit.

Vrasja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku 20-vjeçari francez u gjet pa shenja jete në zonën e shezlongëve pranë një lokali.

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, i riu dyshohet se është goditur disa herë me thikë në shpinë dhe në kraharor, ndërsa vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

Miguel Mendes ndodhej në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë. Ndërsa Sokrat Vata punonte si roje plazhi pranë hotelit ku dyshohet se ndodhi konflikti.

I DËNUAR MË PARË NË BRITANI

Emri i Sokrat Vatës ishte bërë i njohur më herët edhe për autoritetet britanike. Në vitin 2024, ai u arrestua në Britaninë e Madhe pas dy rasteve të ndjekjes nga policia, të lidhura me drogën dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Në një prej rasteve, në Cambridge, policia e pikasi duke drejtuar një Toyota të raportuar të vjedhur. Vata tentoi të largohej, ndërsa gjatë arratisjes dyshohet se hodhi një pako me kokainë në shkurre. Ai u kap më pas në oborrin e pasmë të një banese.

Në momentin e arrestimit, policia i gjeti edhe 560 paund, ndërsa testet treguan se kishte drejtuar automjetin nën efektin e drogës.

Një tjetër ngjarje kishte ndodhur në Kent, ku Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Automjeti me targa të klonuara u përplas gjatë ndjekjes dhe brenda tij u gjetën qese me kokainë dhe targa të tjera.

Për këto episode, Vata u përball me Gjykatën e Kurorës në Cambridge, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Në shtator 2024 ai u dënua me pesë vite burg në Britani.

Tashmë, pas arrestimit në Fier, Sokrat Vata është në duart e autoriteteve shqiptare, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e vrasjes së 20-vjeçarit francez dhe motivin e konfliktit që përfundoi tragjikisht në Ksamil.

Policia ka dhënë detaje për arrestimin e Sokrat Vatës, 29-vjeçarit të dyshuar për vrasjen me thikë të turistit francez në Ksamil.

Sipas Policisë, kapja e tij u bë falë koordinimit dhe bashkëpunimit mes shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Sokrat Vata u kap nga shërbimet operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” të Fierit, në një pikë kontrolli të ngritur posaçërisht për kapjen e tij në aksin rrugor Levan-Fier.

Në momentin e arrestimit, 29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke, 31 vjeçe. Në automjet ndodhej si pasagjer edhe një shtetas turk, 38 vjeç.

Sokrat Vata dhe dy shtetasit turq janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 20-vjeçarit francez në Ksamil.

Advertisement