Rajon
Zgjedhjet lokale në Serbi: Vuçiq i dobësuar, alternativa ende nuk ekziston
Politikani serb Dragan Shormaz tha se ‘Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale në Serbi sollën një mesazh të rëndësishëm, por në shikim të parë kontradiktor, pushteti i Aleksandar Vuçiqit nuk është më aq i fortë sa ishte, por alternativa politike që do ta shndërronte këtë dobësi në ndryshim ende nuk ekziston’.
“Rënia e besimit ndaj pushtetit është e dukshme dhe e matshme. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022, rezultatet që ka arritur lista e udhëhequr nga Vuçiqi janë dukshëm më të dobëta, dhe kjo pavarësisht faktit se presidenti insistoi në bashkimin e të gjithë partnerëve të koalicionit nën një “ombrellë” të vetme politike. Kur kësaj i shtohet përdorimi maksimal i të gjithë mekanizmave në dispozicion për mobilizimin dhe kontrollin e votuesve, pamja bëhet edhe më e qartë: bëhet fjalë për një erozion serioz të besimit ndaj pushtetit” – deklaroi politikani serb.
Sic u shpreh ai, megjithatë, dobësia e pushtetit në vetvete nuk do të thotë edhe zëvendësimin e tij. Këtë e tregon qartë edhe ana tjetër e ekuacionit politik – opozita, përkatësisht e ashtuquajtura listë politike “studentore”, e cila, pavarësisht energjisë së fortë të protestave nga periudha e mëparshme, nuk po arrin ta kapitalizojë pakënaqësinë e qytetarëve.
“Problemi i Serbisë sot nuk qëndron vetëm në dobësinë e pushtetit, por edhe në dobësinë e alternativës. Dhe pa këtë alternativë, çdo ndryshim mbetet vetëm një mundësi, por jo edhe një realitet” – potencoi Dragan Shormaz