Politike
Zvërneci, Rama i kthehet kritikëve: Pse Shqipëria të mos ketë perlën e saj në turizmin botëror
Pas protestave për anulimin e projektit të Zvërnecit kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video nga Costa Navarino në Greqi, duke e paraqitur atë si një histori të suksesshme zhvillimi turistik.
Rama iu referua këtij projekti edhe një ditë më parë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku theksoi se Costa Navarino, ashtu si zona e Zvërnecit, ka qenë një territor i mbrojtur, por që sot konsiderohet një nga krenaritë e turizmit grek.
Në mesazhin e tij, Rama rikujton kundërshtitë dhe debatet që shoqëruan realizimin e projektit në Greqi, duke i krahasuar ato me reagimet që janë shfaqur ditët e fundit në Shqipëri. Ai vë në dukje se, pavarësisht rezervave fillestare, investimi u konkretizua dhe solli rezultate të rëndësishme ekonomike dhe turistike.
Sipas Ramës, Costa Navarino gjeneron sot miliarda euro të ardhura, krijon vende pune dhe kontribuon në rritjen e standardeve të zhvillimit, duke ruajtur njëkohësisht balancën mes natyrës dhe aktivitetit njerëzor.
Kryeministri pranon se investimet e mëdha shpesh shoqërohen me shqetësime dhe kundërshti, por shprehet se “po të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë ‘nuk bëhet’ se prishet, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota”.
Në përfundim, ai përsërit pyetjen që ngriti edhe një ditë më parë gjatë deklaratave të tij publike, nëse një histori e ngjashme suksesi mund të realizohet edhe në Shqipëri, madje në një formë edhe më të spikatur.
“Mirëmëngjes dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të jugut, ju uroj ditë të mbarë!
Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.
Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon.
Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.
Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike.
Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.
Por në fund projekti u ndërtua.
Dhe sot?
Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës. Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror. Mijëra vende pune të mirëpaguara. Miliarda euro të gjeneruara për ekonominë. Shumë biznese lokale që janë rritur përreth. Prona që kanë fituar vlerë. Një territor i tërë që ka ndryshuar rrënjësisht pa humbur ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.
Dhe në këtë trajektore spektakolare transformimi ja edhe disa fakte kokëforta:
75% më pak emetime operacionale karboni krahasuar me vitin 2019. Mbi 185 mijë metra kub ujë të ricikluar dhe ripërdorur vetëm gjatë vitit 2024. 72% më pak plastikë njëpërdorimëshe. 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme.
Të kuptohemi! Kjo histori e bukur e vendit fqinj, nuk do të thotë se çdo investim i madh është automatikisht i mirë. As se çdo shqetësim është pa vlerë. Përkundrazi. Por do të thotë se zhvillimi nuk mund të mohohet kurrë kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet asnjëherë arbitrarisht. Sepse po të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë “nuk bëhet” se prishet, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota.
Nuk do të kishte aeroporte. Nuk do të kishte porte. Nuk do të kishte autostrada. Nuk do të kishte qytete moderne. Nuk do të kishim as vetë Europën që njohim sot.
Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë.
Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut”, shkruan Rama.