Bota
Hetoi shqiptarët/ Vritet prokurori në Ekuador
Édgar Escobar, një prokuror publik në Guajankil të Ekuadorit, u vra një ditë më parë përballë kishës La Merced, ku ndodhen zyrat e Prokurorisë Provinciale të Guayas. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin-port, ku mafia shqiptare akuzohet nga autoritetet lokale për trafikimin e tonelatave kokainë nga Ekuadori në Europë, por nuk përjashtohen as për urdhërimin e krimit
Sipas versioneve paraprake, Escobar, ditën kur e qëlluan më armë zjarri ka qenë duke shkuar në një dyqan për të lustruar këpucët. Ai u ekzekutua në mes të rrugës, me autorët që duket se kanë dashur të japin një mesazh për autoritetet. Pas kontrollit të sendeve të tij, oficerët me uniformë gjetën para.
“Në xhepa të ndryshëm të këmishës dhe pantallonave iu gjetën 3800 dollarë, po i lidh pikat për të zbuluar se nga i erdhën ato para; në atë kohë bankat nuk ishin të hapura,”– tregoi Víctor Zárate, komandant i Policisë së zonës.
Hetuesit nuk përjashtojnë që urdhri i krimit të ketë ardhur nga burgu i Guayaquil.
Zyrtari po hetonte rastet e trafikut të drogës; shpërthimin vdekjeprurës në Cristo del Consuelo; masakrat në burgun Litoral dhe vrasjen e një inxhinieri 32-vjeçar në sektorin El Buijo, në Samborondón, të gjitha gjatë muajit të kaluar.
#URGENTE | #Guayas: el fiscal de la Unidad de Personas y Garantías de #Guayaquil, Édgar Escobar, fue baleado esta mañana frente al edificio #LaMerced de #FiscalíaEc (noticia en desarrollo). #FiscalíaConLasVíctimas pic.twitter.com/FuFolOAF1H
— Fiscalía Ecuador (@FiscaliaEcuador) September 19, 2022
Mediat ekuadoriane raportojnë se gjatë gjithë karrierës së tij, ai ishte marrë me raste të ndjeshme vrasjesh, organizata të trafikut të drogës dhe çështje të tjera. Këtë vit ai ishte prokuror i Njësisë së Personave dhe Garancive të Guajakili. Sipas versioneve paraprake, Escobar ndodhej në parkun përballë Prokurorisë duke lustruar këpucët, kur iu afruan persona të armatosur. Ai u përpoq të ikte, por nuk mundi t’u shmangej plumbave.
Këtë vit, mes çështjeve të rëndësishme, Escobar ngriti procesin ndaj tetë anëtarëve të dyshuar të një organizate droge përgjegjëse për dërgimin e ngarkesave të drogës jashtë vendit. Pas disa bastisjeve në shtëpitë e kryera në orët e para të së mërkurës, 20 korrik, në Guayas, Los Ríos dhe Imbabura, u raportua sekuestrimi i 200 pakove kokainë.
Qyteti-port i Guajakilit, konsiderohet kryeqendra e trafikut të drogës, ku rolin kryesor e luan mafia shqiptare në bashkëpunim me kartelet meksikane apo kolumbiane. Vitet e fundit, disa shqiptarë janë ekzekutuar për kontrollin e trafikut të drogës në Guajakili, ku më i fundit ishte Ergys Dashi, i ekzekutuar në një restorant në janar të këtij viti. Por edhe pse kanë kaluar 9 muaj nga ngjarja, ende nuk ka një autor të prangosur, ose një porositës.