Connect with us

Aktualitet

Ish-zyrtari i Policisë thyen heshtjen pas shpalljes në kërkim: Nuk nxora armë, kërkoj ndjesë për fyerjet

Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, ka reaguar pas shpalljes në kërkim nga autoritetet për një konflikt të ndodhur në një hotel në Dhërmi, ku dyshohet se është përfshirë në një debat me një kamerier dhe administratorin e subjektit.

Sipas raportimeve, pas konfliktit dy personat kanë deklaruar se janë kërcënuar me jetë nga Shpataraku. Ndërkohë, ish-zyrtari ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka nxjerrë armë dhe nuk ka kërcënuar askënd.

Në reagimin e tij publik, Shpataraku pranon se ka pasur një debat verbal dhe se ka përdorur fjalë fyese ndaj stafit të hotelit, për të cilat ka kërkuar ndjesë. Ai pretendon se situata është ekzagjeruar dhe se reagimi i strukturave të policisë ka qenë joproporcional me ngjarjen.

“Dua të theksoj se, në mënyrë absolute, nuk kam kërcënuar njeri për jetën dhe jo më ta kem bërë këtë duke nxjerrë një armë. Kjo verifikohet lehtësisht nga policia”, deklaroi Shpataraku.

Ish-zyrtari kritikoi angazhimin e disa strukturave policore për lokalizimin e tij, duke pretenduar se vëmendja duhet të përqendrohet te veprat e rënda kriminale dhe jo te një konflikt verbal.

Nga ana tjetër, autoritetet vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e pretendimeve të palëve të përfshira. Shpataraku, i cili ka mbajtur më herët poste drejtuese në Policinë e Shtetit, pritet të përballet me procedurat ligjore për akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Advertisement