Connect with us

Biznes

Paralajmërimi/ Birrat dhe pijet freskuese, rritje të çmimit 20-30%

Rritja e çmimeve të produkteve të konsumit do të vazhdojë të jetë e pandalshme.

Si pasojë e inflacionit çmimet që kanë përshpejtuar më shumë rritjen në Shqipëri janë produktet ushqimore, pijet alkoolike dhe derivatet e naftës. Distributorët më të mëdhenj të produkteve ushqimore në vend paralajmërojnë tjetër rritje të çmimeve për pijet alkoolike dhe ato freskuese.

Për produktet e importet të birrës dhe pijeve freskuese çmimet pritet të rritet 20 deri 30%. Kompanitë pohojnë se po përballen me çmime të larta furnizimesh, pasi edhe fabrikat jashtë vendit po vuajnë shtrenjtimin e kostove të lëndëve të parë (që nga sheqeri, plastika etj) dhe energjisë.

Ndërsa në treg pak ditë më parë kanë shënuar rritje të fortë çmimi i kroasantëve të paketuar që importohen nga Greqia, Bullgaria dhe Hungaria. Çmimi i këtij produkti nga 70 lekë ka arritur 90 lekë në dyqanet e vogla të produkteve ushqimore.

Krahasuar me pak ditë më parë rritja është 28,5%, ndërsa në raport me periudhën para krizës rritja është 50% më shumë. Importuesit e këtyre produkteve thanë për Monitor se rritja e çmimit të produktit është ndikuar nga furnizimet e importit, ku tashmë të gjitha vendet e Europës po vuajnë kostot e shtrenjtë të lëndëve të para prodhuese dhe atyre djegëse.

Ndërsa pritet të ketë rritje të tjera çmimesh sipas distributorëve. Në këtë situatë sipërmarrësit ngrenë shqetësimin se rritja e çmimeve po sjell ulje të konsumit.

Dallga e rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet e huaj ka prekur edhe prodhuesit vendas të pijeve freskuese. Më herët prodhuesit shqiptarë pohuan për Monitor se kanë rritur çmimet 25%, për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Në tërësi për sektorin rritja më e lartë e lëndëve të para është te sheqeri në nivelin 70 deri 80%, plastikës deri 70% më shumë se 1 vit më parë, çmimit të energjisë 72% nga 11 lekë për kWh (pa TVSH) ka arritur 19 lekë. Duke shtuar edhe rritjen e pagave të punonjësve me 10 deri 15% që kanë nisur të zbatohen prej muajit prill për shkak të emigracionit dhe të transportit nga rritja e çmimit të karburanteve kostot e shtuara të prodhuesve vendas janë mbi 25% më shumë se vitin e kaluar.

Për shkak të peshës së lartë të shpenzimeve për ushqime, familjet shqiptare janë rënduar në plotësimin e nevojave të tyre jetësore. Rreth 42% e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Europë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.

Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut, me 30.6%, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (29.5%), Mali i Zi (24%.5), Serbia (23.6%)- të dhënat për Kosovën mungojnë. Për Bashkimin Europian-27, kjo peshë është 13%.

Sakaq sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti, 43% e të punësuarve në vend me sigurime shoqërore kishin pagë mujore deri në 40,000 lekë (330 euro). Gati gjysma e të punësuarve në vend, zyrtarisht marrin një pagë që është më afër pagës minimale.

Edhe pse bizneset të nxitur nga emigracioni i lartë i popullatës po aplikojnë rritje të pagave përfitimet e tyre po gërryhen nga inflacioni që është më i lartë se rritja e pagave në disa sektorë. /MONITOR

Advertisement