Connect with us

Aktualitet

Të gjithë janë bërë delivery

TIRANË– Shpërndarja ose siç njihet rëndom në anglisht, “Delivery”, është një zanat që po pëson rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në Shqipëri, ky shërbim u prezantua fillimisht në tregun e ushqimit, por gjatë periudhës së pandemisë u zgjerua edhe drejt produkteve të tjera.

Romeo punon si shpërndarës ilaçesh për një farmaci në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani
Romeo punon si shpërndarës ilaçesh për një farmaci në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani

Renis Hoxha punon si shpërndarës prej gjashtë vitesh dhe thotë se ditët e tij të punës janë tejet të ngarkuara. Megjithatë, trafiku i orëve të drekës është ajo që e sfilit më shumë. “Orët e drekës në rrugët e Tiranës janë të tmerrshme. Plus ne kemi dhe problemin e orës, për të arritur në kohë shpërndarjen e produktit dhe marrjen e porosisë së radhës,” tha Renisi për BIRN.

Renis Gjika, prej gjashtë vitesh shpërndarës, pohon se trafiku i orëve të drekës është vështirësia e tij kryesore. Foto_Nensi Bogdani.
Renis Gjika, prej gjashtë vitesh shpërndarës, pohon se trafiku i orëve të drekës është vështirësia e tij kryesore. Foto_Nensi Bogdani.

Me kërkesat e shumta të blerjeve në internet dhe shpërndarjes së produkteve aty ku ndodhet klienti, shpërndarësit e Tiranës përballen gjithashtu me vështirësi të shumta. Kryesisht ata ankohen për trafikun e rënduar, orët e gjata të punës dhe rreziqet e vazhdueshme në qarkullimin mes makinave.

Shpërndarës në semaforin e kryqëzimit të Don Boskos. Foto:Nensi Bogdani.
Shpërndarës në semaforin e kryqëzimit të Don Boskos. Foto:Nensi Bogdani.

Orët e gjata të punës dhe problemet me trafikun i konfirmon edhe shpërndarësi i një fast-foodi pranë bulevardit Zogu i Parë në Tiranë. Prej 8 vitesh në këtë profesion, ai thotë se punon 11 orë çdo ditë si shpërndarës i porosive ushqimore.  “Tani janë bërë të gjithë ‘delivery’, i gjen kudo. Por e kemi shumë të vështirë punën,” tregon Bujari.

“Unë rri 11 orë majë motorit. E imagjinon dot me këtë trafik si kalon dita në motor,” ironizon ai për peripecitë që i duhet të kalojë përditë në trafikun e rënduar të kryeqytetit.

Shpërndarës i një fast-foodi. Ai thotë se punon në profesion prej 8 vitesh, me orare të zgjatura deri në 11 orë. Foto: Nensi Bogdani.
Shpërndarës i një fast-foodi. Ai thotë se punon në profesion prej 8 vitesh, me orare të zgjatura deri në 11 orë. Foto: Nensi Bogdani.

Shpeshherë, shpërndarësit ndjehen nën presionin e kohës për të dorëzuar pa vonesa porositë, pasi trafiku shpeshherë i detyron të vonohen. “Klienti nuk pyet për trafik, klienti e do në orar. Përndryshe ai kalon tek dyqani tjetër,” tha pronari i picerisë “Benvenuto” pranë Zogut të Zi.

Një shpërndarës i një restoranti peshku duke ngarkuar porositë e klientëve në motorin e tij. Foto: Nensi Bogdani.
Një shpërndarës i një restoranti peshku duke ngarkuar porositë e klientëve në motorin e tij. Foto: Nensi Bogdani.

Sipas shpërndarësve, një dërgesë me motor brenda Tiranës merr mesatarisht njëzet minuta vajtje-ardhje, por ky interval kohor jo gjithmonë u jepet nga pronarët, disa prej të cilëve kërkojnë që shpërndarja të kryhet më shpejt.

Një motor për shpërndarjen e picave. Foto: Nensi Bogdani.
Një motor për shpërndarjen e picave. Foto: Nensi Bogdani.

“Ne duhet ta kemi kryer porosinë dhe të jemi kthyer brenda 13 minutave, kështu na e kërkon pronari. Kjo na vendos në presion për të kapur kohën dhe për të menaxhuar me trafikun e rëndë,” i tha BIRN njëri prej shpërndarësve.

Një shpërndarës në trafikun e Tiranës. Foto: Nensi Bogdani.
Një shpërndarës në trafikun e Tiranës. Foto: Nensi Bogdani.

Megjithë vështirësitë, ka edhe nga ata që ndjehen mirë me profesionin që kanë zgjedhur.

“Unë nuk e kam problem, nuk kam ndonjë vështirësi. Përkundrazi, më pëlqen që t’u shërbej atyre që kanë nevojë për ilaçe,” thotë Romeo, shpërndarësi i medikamenteve të një farmacie.

Romeo punon si shpërndares ilaçesh për një farmaci në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.
Romeo punon si shpërndares ilaçesh për një farmaci në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.
Marrë nga Reporter.al
Advertisement