✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

SPAK mbyll hetimet, Balluku nën akuzë për shkelje të barazisë në tenderë në 9 raste

IIsh-zëvendës kryeministrja Belinda Balluku dhe avokati i saj Ardian Kalia janë paraqitur mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30 në SPAK.

Një javë pasi iu komunikuan akuzat, Balluku është thirrur në SPAK ku është njohur me mbylljen e hetimeve. Së shpejti dosja në ngarkim të saj do të transferohet në Gjykatën e Posaçme.

Balluku do të duhet të përgjigjet para drejtësisë për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në 9 tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave.

Mbi ish-zv.kryeministren rëndojnë 5 akuza, dy prej të cilave për ‘korrupsion’, ‘shkelje e barazisë në tendera’, ‘pastrim parash’ dhe ‘fshehje pasurie’.

Nëntë tenderat e paracaktuar kapin vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove, ku përfshihet ati i ndërtimit të Tunelit të Llogorasë që me kursin e sotëm është 200 mln euro, 7 lotët e Unazës së Madhe të Tiranës, dhe së fundmi ai i bërë që në kohën kur Belinda Balluku ishte drejtoreshë në Albcontrol, kur e paracaktoi fituesin që bëri punimet 1.1 mln euro në godinën teknologjike të këtij institucioni.

Për këtë tender që u zbulua së fundmi nga SPAK, në këmbim Balluku kërkoi dhe mori nga kompania fituese Eurocol e biznesmenit Pandeli Carapuli, një vilë në bregdetin e Jonit, në rezidencën “White Rocks” në Dhërmi. Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe tip Begonia, gjithsej 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2. Nën akuzën e pastrimit të parave për këtë episod u mor i pandehur edhe vetë Carapuli.

Edhe Pandeli Carapuli, i cili është nën hetim për ‘pastrim parash’ u paraqit sot në SPAK bashkë me avokatin, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve.

Vila tjetër është në bregdetin e Palasës, edhe kjo e sekuestruar, e cila sipas SPAK-ut është në “pronësi faktike” të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo ishte rikonstruktuar mes luksit nga biznesmeni Arbër Abazi, në këmbim të favorizimit të kompanisë së tij të ndërtimit, “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese në tetor të 2021 për një nga lotet e Unazës së madhe të Tiranës, në një tender afro 2.7 miliardë lekësh (me Tvsh). Vila gjendet në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Ajo ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë, dy kate me një sipërfaqe totale prej 271.2 metra katrorë dhe dy garazhe njëri 20 dhe tjetri 40 metra katrorë.

Të dyja vilat ishin fshehur në emër të ish futbollistit Igli Tare, i cili pritet të merret i pandehur për pastrim parash në dy raste.

 

Advertisement