Kronike
Si nëpër filma/ Nëna jep me ‘qera’ djalin e mitur për të grabitur
Një grua është bërë bashkëpunëtore e drejtësisë dhe ka “shitur” kushërinjtë e saj, pasi është frikësuar për veten dhe të birin e saj të mitur. Një histori grabitjeje si nëpër filma, ka përfunduar me arrestimin e dy personave, vetëm falë denoncimit të gruas me inicialet V.J., e cila pasi fillimisht ka pranuar të jetë pjesë e planit të grabitjes të një banese në Fier, më pas është penduar dhe ka folur me policinë.
Plani për grabitjen nisi kur gruaja u vizitua në banesë nga njëri prej të afërmeve që kishte një ofertë.
“Kërkoi që t’i jepja me vete njërin nga fëmijët, i cili duhet ta ruante teksa ai vidhte një banesë,”- deklaron gruaja në komisariatin numër pesë. Denoncuesja që ka tre fëmijë të mitur dhe që iu kërkua “të huazonin” më të voglin, është treguar fillimisht e gatshme që të shkonte ajo për t’i ruajtur në kohën që do të kryenin vjedhjen.
“Pas kësaj Gj. më shpjegoi me detaje planin, më tha se shtëpia nuk gjendej në Tiranë, por në Fier.”
Gruaja kujton se udhëtoi dy herë drejt qytetit të Fierit për të vëzhguar dhe për të parë banesën private në të cilën grabitësit planifikuan të mësynin. Por më vonë gruaja u pendua që po përfshihej në këtë plan dhe për këtë arsye, nisi të anulojë çdo gjë.
“E frikësuar nisa të nxjerr pretendime të tjera, u thashë që nuk kisha me kë ta lija dyqanin ku punoj. Pastaj kur këmbëngulnin dhe s’më lejuan të tërhiqesha, u thashë që shkoja në bashki sapo të merrja ca dokumenta dhe pastaj do t’i telefonoja. Caktuam si orar orën 15:00.”
Orë pas ore i dyshuari si organizator i planit e vizitoi sërish në banesë.
“Më pyeti Gj. a isha e sigurtë se ishin të bindur që do merrnin edhe një automatik, që do ma tregonte kur të niseshim për rrugë. Do udhëtonim me makinën e tij, ose do shkonim me Citroenin e tij ose do merrnim mjet me qera’’.
Grabitësit i treguan gruas se në shtëpinë në fjalë kishte shumë para dhe se ajo do merrte 20 mijë euro për punën.
“Këtë nder po ta bëj ty më tha Gj. se më kishte kushërirë dhe nuk donte t’ia bënte si nder tjetër kujt. Ai më tha se kishte besim tek unë. Në asnjë moment nuk e mendova që t’u afroja djalin për të bashkëpunuar. Në dijeninë time ai kishte disa muaj që kishte dalë nga burgu”, rrëfen në polici V.J.
Ajo ndryshoi mendim kur kuptoi se do ishin të armatosur e për më tepër që plani ishte i dyshimtë.
“Paraqitem në polici për të shpërtuar veten dhe djalin tim, s’kemi bërë ndonjëherë gjëra të tilla.”
Gruaja sipas burimeve të Gazetasi.al u telefonua gjatë kohës që po denonconte nga dy kushërinjtë që i kërkuan të paraqitej në Pezë Helmës për të marrë automatikun pasi do niseshin drejt Fierit. Operacioni sipas burimeve tepër të sigurta ka vijuar me përgjim dhe vëzhgim në distancë.
I dyshuari i veshur me pantallona të zeza, e takon gruan në rrugën OSBE dhe ata lëvizin në grup nga Casa Italia drejt Kombinatit. Policia i thotë Gazetasi.al se grabitësit lanë mjetin në fjalë dhe hipën në një tjetër në afërsi të një reparti ushtarak dhe atyre u bashkua dhe një person i tretë i identifikuar si P.L, i moshës 65 vjeç.
Udhëtimi i tyre ka vijuar drejt Romanatit dhe pikërisht këtu forcat operacionale kanë ndërprerë planin kriminal duke kryer arrestimin e të dy burrave për armëmbajtje dhe sigurim i mjeteve për të kryer grabitje.