Connect with us

Politike

Raporti i KE pë Shqipërinë/ Amnistia dhe korrupsioni

Komisioni europian vlerëson ecurinë Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit, duke theksuar se ajo duhet të përparojë më tej se bashku me opozitën dhe shoqërinë civile. Në projekt-raportin që pritet të publikohet të mërkurën, një kopje të të cilit Zëri e Amerikës e disponon, korrupsioni vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, ndërsa vendi paralajmërohet se nismat për aministinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit europian. Një fushë ku shprehimisht shkruhet se nuk është bërë përparim, është ajo e lirisë së shprehjes.

Dokumenti i Komisionit është një radiografi e gjendjes së vendit në raport me kriteret që duhet të përmbushë në procesin e tij të integrimit. Sa i përket kritereve politike, vihet në dukje se “konflikti i brendshëm brenda partisë më të madhe opozitare (PD), ndikoi në jetën parlamentare”. Qeveria vlerësohet se “mbajti fokusin në reformat që lidhen me rrugën e vendit drejt BE-së dhe përforcoi strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE”, ndërsa kritikohet për “krijimin e disa agjencive qeveritare në varësi të Kryeministrisë, pa një kornizë gjithëpërfshirëse drejtuese dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit” gjë që sipas Komisionit “ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike”.

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë, sipas Komisionit europian “ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar” dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë patur “një përparim përgjithësisht të mirë”. Raporti vë në dukje emërimet për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, duke theksuar se “megjithatë procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”. Ecuria e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve vlerësohet se “ka vazhduar të përparojë në mënyrë të qëndrueshme. Deri më 12 shtator, institucionet e vettingut kishin përfunduar 554 çështje të shkallës së parë. Rreth 64% e dosjeve të vettingut të përpunuara deri më tani kanë rezultuar me shkarkime, dorëheqje ose përfundimin e mandatit të magjistratëve të verifikuar”. Sipas Komisionit “institucionet e vettingut duhet të vazhdojnë t’i referojnë organeve të prokurorisë rastet kur ka të dhëna për vepra penale”.

Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë dhe lufta kundër krimit të organizuar ku vihet re “njëfarë përparimi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar”. Raporti thekson se “bashkëpunimi i fortë dhe i frytshëm me shtetet anëtare të BE-së, Europolin dhe Eurojust-in ka çuar në rezultate të prekshme. Shqipëria vazhdoi të tregojë angazhim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Progres i mirë është arritur në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar”. Sipas Komisionit “kjo përpjekje duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Përpjekjet gjithashtu duhet të vazhdojnë për të siguruar rritje të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivelet e larta”.

Pavarësisht kritikave të mëhershme të Brukselit mbi idenë e autoriteteve shqiptare për dhënien e shtetësisë të huajve të pasur që duan të investojnë në vend, në korrik të këtij viti qeveria hodhi një tjetër hap kur miratoi një vendim që i hap rrugën angazhimit të një kompanie ndërkombëtare për promovimn e pasaportës shqiptare. Edhe në raportin e tanishëm, Zëri i Amerikës, ka konstatuar se i njejti paralajmërim përsëritet nga Komisioni, kur shprehet se “Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së”.

Po ashtu, Shqipëria paralajmërohet dhe sa i përket nismës tjetër të qeverisë për aministinë fiskale. Asaj i kujtohet se është “në listën gri” sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave, e për këtë arsye “duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.

Fusha ku Shqipëria vlerësohet se “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes. “Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës vazhdoi të pengonte pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë. Dezinformatat duke përfshirë fushatat e shpifjeve janë të përsëritura, veçanërisht në mediat online, vetërregullimi i të cilave duhet të sigurohet. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”, vë në dukje raporti, duke theksuar se “çdo ndryshim në Ligjin për mediat duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të dorëzohet për konsultim me organizatat e medias”. Sipas Komisionit europian “mbetet e rëndësishme të sigurohet që media të ketë qasje të drejtpërdrejtë dhe transparente në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre” e po ashtu “veprimtaria rregullatore e Autoritetit për mediat audio-vizive (AMA) duhet të përmirësohet dhe pavarësia dhe burimet e transmetuesit publik duhet të forcohen”.

Shqipëria vlerësohet pozitivisht për politikën e saj të jashtme të linjëzuar me atë të Bashkimit europian, si dhe për rolin në rajon. Me nota pozitive përshkruhet dhe nisma “Ballkani i hapur”, e nxitur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por që ka hasur në kundërshtime të forta nga Kosova. “Për sa kohë që nisma e “Ballkanit të hapur” është në përputhje me kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal, përputhet me standardet e BE-së dhe është plotësisht e hapur dhe gjithëpërfshirëse, është një hap i dobishëm drejt zhvillimit të një tregu të përbashkët midis gjashtë ekonomive të rajonit”, shkruhet në raportin e Komisionit europian.

Kosova, KE: Duhen përpjekje thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë

Komisioni Evropian u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve duke e vlerësuar atë si thelbësore për integrimet evropiane.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë vazhduan me takime të rregullta mujore në nivel të kryenegociatorëve dhe një takim të nivelit të lartë më 18 gusht 2022. Palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor të vitit 2022 dhe ranë dakord për lëvizjen vetëm me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajin gusht.

“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme dhe të ndihmojë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në raport.

Situata në veriun e Kosovës, një zonë e banuar me shumicë serbe mbetet sfiduese, veçanërisht në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirisë së shprehjes, thuhet mes tjerash në raport.

Komisioni Evropian thekson se sa u përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Aji ka mbajtur në përgjithësi marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Por, nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.

Raporti thekson se Kosova gëzoi një qëndrueshmëri politike me një qeveri më shumicë solide në Parlament, puna e të cilit u ndikua negativisht nga atmosfera e polarizuar politike dhe vështirësitë për të siguruar kuorum vendimmarrës.

Sikurse edhe në raportet e mëhershme, Komisioni thekson se Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mire: “Ndërkohë që është bërë njëfarë përparimi, administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme”.

Kosova është në një fazë të hershme dhe ka një shkallë të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, thuhet në raport në të cilin theksohet se “është bërë njëfarë përparimi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit, por ekziston nevoja për të përmirësuar zbatimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të pasurive. Pavarësisht përpjekjeve të bëra tashmë, ekziston nevoja për vullnet të fortë politik për të vazhduar trajtimin efektiv të rreziqeve të korrupsionit sistemik dhe një përgjigje të fortë të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”.

Ngjashëm është vlerësimi për luftën kundër krimit të organizuar ku vërehet një “përparim i kufizuar” dhe nënvizohet se janë zhvilluar “një sërë operacionesh të suksesshme që synonin krimin e organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”.

Raporti vë re se është arritur njëfarë përparimi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por “autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji në fuqi duhet të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare”.

Komisioni thekson se kuadri ligjor garanton gjerësisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet evropiane dhe Kosova tregoi përkushtim për trajtimin e pabarazisë gjinore. Por, theksohet në raport, “duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, duke përfshirë romët dhe ashkalitë dhe personat e zhvendosur, për të siguruar barazi gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një shkallë të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik, theksohet në raport. “Megjithatë, mbeten shqetësimet në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e qëndrueshmërisë financiare i bën mediat, përfshirë transmetuesin publik, të cenueshme ndaj interesave politike dhe të biznesit”. /VOA/

Politike

‘Në kohën e Saliut vidhej, por Rilindja është bandë që del në 8 të mëngjesit vetëm për të vjedhur’

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku debatoi me analistin Andi Bushati për korrupsionin masiv që ka prekur pushtetin dhe administratën.

Andi Bushati: Me sa kuptova, zoti Pëllumbi mbajti narrativën që ka korrupsion por ne po e luftojmë. Unë them që jo, PS, por Rilindja sot, jo që po lufton, por është bandë që del në 8 të mëngjesit për të vjedhur në zyrat e shtetit. Edhe në kohën e Tahirit u tha po e luftojmë ne kanabisin, prandaj doli sheshit.

Arben Pëllumbi: Çfarë ndodhte me korrupsionin para 2013?

Andi Bushati: Ka patur korrupsion të madh.

Arben Pëllumbi: Më thuaj një emër, kush u dënua? Në Bashkinë e zotit Basha ka patur ndonjë të korruptuar?

Andi Bushati: Ai flite gjumë nuk bënte gjë. Por Ilir Meta për tentativë blloku, la postin e zv.kryeministrit. Nuk u dënua, e trukoi procesin.

Arben Pëllumbi: Këta zotërinjtë janë në burg.

Ylli Rakipi: Ore kryetari i Bashkisë ka përgjegjësi politike?

Arben Pëllumbi: Kur të shohim se çfarë do të nxjerrë prokuroria, do të diskutojmë për këtë temë.

Andi Bushati: Padyshim ka patur korrupsion, të gjithë flisnin. Por këtu dalin drejtorë me dhejtëra milionë euro pasuri. Vidhej në kohë të Saliut, ka qenë tenderi 15-12, këta e bënë 30 dhe tani kalon buxhetin te drejtori. Po hasim prova përditë. Ju thatë inceneratori që nuk ekziston, kanë dy vjet tecet lundruese në Vlorë dhe pagueht çdo ditë pa u ndezur. Është vjedhur për të mos bërë asgjë, paguhet 80 mijë dollarë cdo ditë. Ka arritur vjedhja në disa përmasa. Pastaj me këto lekët e vjedhjes, bëjnë nga këto mitingjet si në Athinë. Harxhohen paratë për masturbimin delirant të liderit.

Arben Pëllumbi: Po të prisja me kuriozitet kur te dilje te kjo pjesa e Edi Ramës, sepse ti nuk e mbyll dot fjalinë pa e përmendur Ramën.

Andi Bushati: Po se ai po na vjedh.

Arben Pëllumbi: Nga viti 92 deri sot, ka patur korrupsion, por cili është ndryshimi? Ne, hapin e parë bëmë sistem drejtësie që të kishte këllqe të godiste edhe brenda nesh. Mbani mend dikur ishte një drejtor tatimesh në arrest shtëpie dhe vazhdonte në detyrë. Një mentalitet që këtu, për kë dua unë ka drejtësi, për kë dua unë, nuk ka drejtësi. Kjo koha ka mbaruar. Kemi bërë shërbime online për të shkëputur kontaktin dhe të mos ketë rradhë dhe korrupsion. Nuk janë më këto gjëra.

Andi Bushati: Po vodhe me incinerator, nuk ka nevojë të mbledhësh 2 mijë lekshat.

Arben Pëllumbi: Po ç’punë ka inceneratori? E di që nuk të erdhi mirë për mitingun e Athinës, aty ishin 6-7 mijë vetë.

Andi Bushati: Ç’donin ata kryetarë bashkie që për ti bërë goroje shefit ishin aty?

Arben Pëllumbi: Kanë qytetarët e tyre emigrantë në Athinë.

Andi Bushati: Po drejtori i Teatrit kishte valltaret?

Arben Pëllumbi: Kemi një vit që merremi me Belerin dhe bëhet një gjë e mrekullueshme në mbështetje të diasporës tonë në Greqi dhe kësaj ti themi jo autobuz, jo korrupsion….

Continue Reading

Politike

Bardhi-Ramës: Boll u fshehe, trego ç’bënte yt vëlla me makinën e grupit të kokainës

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me dosjen “Xibraka”.

Teksa i drejtohet Kryeministrit të mos fshihet pas letrave pa vlerë të vëllait të tij, Bardhi i kërkon Ramës të japë llogari se çfarë kërkonte Olsi Rama me makinën e grupit të kokainës.

“Vëllai i madh i Olsit, Edi Rama, është i lumtur për rihapjen e dosjes “Xibraka”, po aq sa ishte Erion Veliaj kur doli pas 8 orëve nga SPAK! Përpjekja e tij e dëshpëruar për të diskretituar SPAK, duke e urdhëruar nga TV se çfarë duhet të bëjë dhe sesi duhet ta trajtojë këtë çështje, është tregues i formimit të tij prej analfabeti ligjor që mendon se institucionet e drejtësisë janë zyra propagande qeveritare.

Në mëngjes vëllai i vogël ripërsërit të njëjtën kërkesë në SPAK që është rrëzuar më parë, me shpresën se do i jap oksigjen për gënjeshtrën ditore të darkës vëllait të madh, që i ikën të vërtetës prej më shumë se 2 muaj. Boll u fshehe pas letrave pa vlerë të vëllait më të vogël! Na trego çfarë bënte yt vëlla me makinën që përdorte grupi i kokainës me targa AA 653 DM. Sado të përdridhesh nuk e fsheh dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama”, tha Bardhi.

Kryeministri Rama deklaroi se do e lumturonte rihapja e hetimeve për dosjen “Xibraka” dhe se sipas tij do ishte drejtësia ajo që do vërtetonte nëse vëllai i tij është trafikant kokaine apo akuzat e Bardhit janë vetëm mashtrime.

Continue Reading

Politike

Shpërthen Qori: Protestën tonë nuk e dha asnjë TV, omerta mafioze, Bashkia, çetë hajdutësh

Lëvizja Bashkë ka organizuar pasditen e sotme një protestë kundër korrupsionit përballë Bashkisë së Tiranës, për aferat që kanë përfshirë këtë institucion. Kryetari i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori, gjatë një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, tha se protesta nuk ka marrë vëmendje në media dhe kanë qenë prezente vetëm dy televizione, për shkak se mediat janë të kapura nga pushteti.

“Lajmin nuk e ka dhënë asnjë nga mediat. Ka patur vetëm dy televizone, mes tyre MCN e cila me gjasë do të bëjë kronikën. Tregon se jemi në një omerta mafioze, të heshtjes së opinionit publik. Erion Veliajn është njeriu që ka në dorë tendera dhe para publike për mafiozë dhe oligarkë, ka shumë ndikim në televizione. Në protestat tona ka shumë policë dhe pak gazetarë. Ne do të bëjmë detyrën tonë, do të ngrejmë zërin, do të tregojmë me gisht të gjithë problemet që ka Bashkia e Tiranës. Është një çëte hajdutësh. Ishim me banorët e Kombinatit, do të ndërtohet pallat shtatë katësh për lulishten e fundit që ka aty. U mblodhën dhe protestuan banorët, asnjë televizion nuk ishte i pranishëm, ndonëse ishin lajmëruar të gjithë. Kjo tregon se i frikësohen opinionit publik, duan të na mbysin me heshtje por zëri i së vërtetës do të mbizotërojë“, tha Qori.

Continue Reading

Politike

Rama: SPAK ta thotë “o unë kam trafikant në familje”, ose gojës së madhe të B-së së vogël i duhet vënë proteza

Kryeministri Rama thotë se rihapja e hetimeve për dosjen e Xibrakës është një lajm i mirë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Rama thotë se duhet të konfirmohet nëse është kallëzim i rremë ai i kreut të grupit parlamentar të PD-së lidhur me përfshirjen e vëllait të tij në këtë dosje.

Më tej, Rama ka thënë se duhet që SPAK-u ta thotë nëse “ai ka një trafikant kokaine në familjes”, ose siç e thotë ai “gojës së madhe të BE-së së vogël i duhet vënë proteza”.

Blendi Fevziu: Deklaruat për çështjen e Gazment Bardhit dhe akuzën ndaj vëllait tuaj se nuk u mor parasysh, ndërkohë Bardhi ka deklaruar 2 ditë më parë se SPAK ka rihapur hetimet në lidhje me këtë dosje.

Continue Reading

Politike

Edi Rama zbulon për herë të parë mesazhin që i dha Erion Veliajt pasi doli nga SPAK

Kryeministri Edi Rama zbulon për herë të parë në emisionin Opinion në Tv Klan mesazhin që i dha kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, pasi ky i fundit doli nga SPAK më 30 Prill 2024.

Kreu i qeverisë u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse bisedoi me Veliaj për akuzat që ky i fundit bëri në adresë të disa gazetarëve pas përfundimit të dëshmisë në Prokurorinë e Posaçme.

Kryeministri bëri të ditur se Erion Veliajt i tha që kishte bërë gabim me deklaratën sulmuese ndaj gazetarëve.

Rama theksoi edhe njëherë qëndrimin e tij që nuk mbron politikisht asnjë zyrtar të përfshirë në akte korruptive.

Blendi Fevziu: Ai ishte fjalimi juaj dhe adresimi juaj një mesazh për Erion Veliajn? Shumë media e kanë lexuar të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Po çfarë janë këto mo. Po pse mo çfarë janë mediat?

Blendi Fevziu: Mediat këtë punë kanë të analizojnë mesazhet e tua.

Kryeministri Edi Rama: Mesazhet për Erion Veliajn unë i kam të thjeshta fare, i kam një tekst, një telefonatë, një takim. Që unë nuk mbroj…

Blendi Fevziu: Nuk mbron askënd? Ju thatë vetëm Zahon nuk lë të hidhet…

Kryeministri Edi Rama: More zotëri këtë e kam thënë 1000 herë dhe 1000 herë e kam përsëritur.. Unë jam ndryshe Fevzi, ky është thelbi, dhe ju nuk doni ta pranoni ok nuk doni ta pranoni. Jam ndryshe.

Kryeministri Edi Rama: Jam ndryshe. Unë ato gjëra që them i mendoj. Nuk them një tjetër dhe mendoj..

Blendi Fevziu: Meqë kishe një mesazh të shkurtër apo vetëm një tekst apo telefon me Veliajn, a i the gjë për qëndrimin që ai mbajti duke akuzuar një sërë gazetarësh pasi doli nga SPAK?

Kryeministri Edi Rama: Po i thashë.

Blendi Fevziu: Çfarë i thatë?

Kryeministri Edi Rama: Gabim shumë i madh.

Blendi Fevziu: Pse?

Kryeministri Edi Rama: Sepse unë personalisht kam pasur shumë herë reagime ndaj mediave, por nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse sulmet ad ominan nuk janë sulme të denja për këdoqoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING