Kosova
Kurti me Plan B/ ‘Jo tani…më vonë’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente të Kurtit, të bëra më 12 janar gjatë vizitës në Austri, vijnë një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet tha se Asociacioni është një çështje urgjente. Kurti, megjithatë ka deklaruar se një asociacion njëetnik është kundër frymës së Kushtetutës të Kosovës.
“Fjalia e parë e zgjidhjes që është hartuar nga Ahtisari, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti, duke iu referuar të ashtuquajturit Plani i Ahtisaarit, që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.
Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje sa i përket Asociacionit, përkatësisht më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 u shpreh se marrëveshja e nënshkruar për themelimin e Asociacionit, binte ndesh në disa pika të aktit më të lartë të shtetit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të respektojë këtë marrëveshje dhe të themelojë Asociacionin. Madje, SHBA-ja ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon, atëherë do të kërkohen “partnerë alternativë” për formimin e Asociacionit.