✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama nga Brukseli i kërkon BE-së një hap të guximshëm: Të gjithë në një tryezë!

Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, i ka kërkuar Bashkimit Europian të ndërmarrë një hap më të guximshëm për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate. Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Rama propozoi që të gjitha vendet kandidate të ulen në të njëjtën tryezë me shtetet anëtare të BE-së, pa ndryshuar parimin e integrimit të bazuar në merita për secilin vend.

Sipas kryeministrit, një lëvizje e tillë do të dërgonte një sinjal të fortë si për opinionin publik në vendet kandidate, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës. Ai theksoi se samiti është një mundësi për dialog të hapur dhe për të diskutuar jo vetëm zhvillimet e vitit që po mbyllet, por edhe të ardhmen e procesit të zgjerimit.

I pyetur nëse do të diskutohet propozimi gjerman i paraqitur në Samitin e Tiranës, Rama u përgjigj se ai është pjesë e diskutimit, por sipas tij nevojitet një kuadër më i gjerë, ku e gjithë Europa, Bashkimi Europian dhe vendet kandidate të jenë në të njëjtën tryezë.

Sa i përket ecurisë së negociatave të Shqipërisë dhe numrit të kapitujve që synon të mbyllë deri në fund të vitit, Rama tha se qeveria po punon çdo ditë me Komisionin Europian dhe se vendi është në rrugën e duhur. Megjithatë, ai pranoi se procesi nuk varet vetëm nga pala shqiptare, pasi për disa çështje Tirana është ende në pritje të miratimit paraprak të teksteve nga Komisioni Europian.

Advertisement