Connect with us

Kosova

Përmbytjet në Kosovë/ Asociacioni i komunave kërkon fond emergjent

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) kërkoi të dielën nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë një fond emergjent pasi përmbytjet nuk janë problemi i vetëm, por gjatë vitit ata ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Kërkesë vjen pas përmbytjeve të këtyre ditëve që shkaktuan dëme në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturë rrugore e të tjera.

Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Klinë.

“Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në një njoftim për media të AKK-së.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe dy ministrat Armend Mehaj dhe Elbert Krasniqi vizituan sot Skenderajn.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura përmes një postimi në facebook njoftoi se kishin vizituar Llaushën ku përveç ekonomitë familjare dhe bujqësia, edhe infrastruktura publike është në gjendje të rëndë.

Ai kërkoi përkrahjen nga niveli qendror për riparimin e dëmeve.

Reshjet e shiut me intensitet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar. Ndërkohë kryeministri Kurti deklaroi të premten se qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do t’iu ofrojnë ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet.

Advertisement