Connect with us

Politike

Turqia sfidon projektin e Ramës/ “Baba Mondi nuk përfaqëson të gjithë bektashinjtë”

Projekti i Edi Ramës për krijimin e një entiteti sovran bektashi në Tiranë përballet me një kundërshtim të ri nga përfaqësues të traditës alevi-bektashiane në Turqi. Këtë herë debati shkon përtej vetë “Shtetit Bektashi”: në diskutim futet edhe se kush ka autoritetin për të përfaqësuar bektashizmin në botë.

Në Hacıbektaş të Nevşehirit është zhvilluar forumi “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme”, nën kujdesin e strukturës shtetërore turke për kulturën alevi-bektashiane dhe cemevitë, pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Në aktivitet morën pjesë drejtues fetarë dhe studiues.

Deklarata përfundimtare vendos Hacıbektaşin dhe “Pir Evi” – Shtëpinë e Pir-it – si qendrën historike dhe shpirtërore të bektashizmit, duke kundërshtuar praktikisht pretendimin që autoriteti qendror i besimit të zhvendoset përmes një projekti politik.

Por përplasja është edhe më e thellë.

Përfaqësues të traditës turke të bektashizmit prej kohësh nuk e njohin strukturën e Tiranës në të njëjtën mënyrë si Kryegjyshata Botërore Bektashiane e Shqipërisë. Debati prek hierarkinë fetare, titullin “Dedebaba” dhe legjitimitetin e Baba Mondit për të përfaqësuar të gjithë bektashinjtë.

Nga Tirana, ndërkohë, qëndrimi është krejt tjetër.

Baba Mondi ka deklaruar publikisht se Kryegjyshata kërkon prej dekadash një status të posaçëm diplomatik dhe se forma konkrete — shtet, mini-shtet apo një status tjetër — i takon shtetit shqiptar ta përcaktojë. Ai ka mbrojtur projektin duke e krahasuar edhe me marrëdhënien mes Vatikanit dhe Italisë.

Kështu, projekti i Ramës po hap tashmë dy fronte njëkohësisht.

I pari është shqiptar: a mund dhe a duhet Shqipëria të krijojë një entitet të ri sovran brenda territorit të saj?

I dyti është fetar dhe ndërkombëtar: kush e përfaqëson realisht bektashizmin botëror — Tirana apo qendra historike e Hacıbektaşit?

Dhe këtu qëndron përplasja e madhe.

Nëse një pjesë e rëndësishme e botës alevi-bektashiane nuk e njeh autoritetin që do të drejtonte entitetin e ri, atëherë lind pyetja:

PËR KË PO KRIJOHET “SHTETI BEKTASHI” DHE KUSH DO TA NJOHË ATË?

 

Advertisement