Connect with us

Kronike

SPECIALE/ “Rikthehet korridori VIII.” Shqipëria përpara zhvillimeve të rëndësishme infrastrukturore

Infrastruktura e Shqipërisë është para një potenciali të ri zhvillimi, pas përfshirjes së “Korridorit 8” (Durrës – Përrenjas – Maqedoni e Veriut, pjesa shqiptare) në rrjetin kryesor europian TEN-T nga Parlamenti Europian në fillim të dhjetorit 2022. Rrjeti Trans-Europian i Transportit (TEN-T) bazohet në një plan të qartë zhvillimi të infrastrukturës kryesore rrugore dhe hekurudhore në mbarë Europën, ku përfshihen edhe linjat ujore, portet, aeroportet dhe terminalet hekurudhore. Objektivi final është mbyllja e boshllëqeve në infrastrukturë dhe fuqizimi ekonomik i rajoneve në Europë deri në vitin 2030, afate të cilat vlejnë edhe për Korridorin 8. Së bashku me Korridorin 10, në territorin e Shqipërisë, kalojnë dy linja rrugore të rëndësishme europiane, të cilat do të bëhen shkak për fuqizimin e së gjithë infrastrukturës tjetër mbështetëse për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave dhe sidomos fuqizimin e porteve shqiptare në Adriatik. Përfshirja në rrjetin TEN-T e bën projektin të financueshëm nga BE me grante dhe kredi me interesa të favorshme. Korridori 8 u projektua si pjesë e Rrjetit Pan-Europian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, me qëllimin që të financohej dhe të përfundonte në 15 vitet e ardhshme, por më vonë, projekti mbeti në hije, për shkak të zhvillimit të rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, të nxitura nga investimet e Kinës në infrastrukturë dhe përparësisë që morën rrjetet rrugore Veri – Jug. Adrian Haçkaj, drejtor kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim (ICD), lobuesi kryesor për pjesën shqiptare, thotë se, me përfshirjen e Korridorit 8 në rrjetin TEN-T, për herë të parë infrastruktura e Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane dhe jo më si zgjatim. Gjurma kryesore e Korridorit 8 përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multi-modale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve – Tiranë, Shkup, Sofje – përmes Plovdivit, duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi. Një veçori shtesë e Korridorit 8 janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare, duke lejuar lidhje të pandërprerë me BE-në dhe transportin detar botëror. Korridori 8 siguron lidhje edhe me tre rrjete të rëndësishme rrugore, Burgas-Svilengrad-Ormenion, që e lidh atë me Korridorin 4, 9 dhe Rrjetin Transeuropian. Pjesa shqiptare e Korridorit 8 Portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës parashikohen të luajnë rol të madh në këtë kuadër të investimeve në Korridorin 8, pasi me përfundimin e këtij aksi me hekurudhë, volumet në këto porte mund të rriten deri në 40%, – thotë një studim i fundit “Situata aktuale dhe e ardhmja e Korridorit 8”, i financuar nga Bashkimi Europian. Studimi vë në dukje se Korridori 8, si pjesë e Rrjetit Paneuropian, do të jetë i rëndësishëm për financimin e objekteve të reja (terminalet e mallrave dhe pasagjerëve, qendra logjistike, magazina, të cilat në pjesën shqiptare mungojnë. Në pjesën shqiptare, Korridori 8 do të ndihmohet ndjeshëm nga investimet që po kryhen në linjën e re hekurudhore, Durrës – Tiranë – Rinas dhe një projekt për të aktivizuar linjën ekzistuese hekurudhore, Durrës – Lin (Pogradec). Aktualisht mungon një distancë prej 2.8 km linjë hekurudhore që mund t’i mundësojë Shqipërisë lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Më tej, nga Maqedonia e Veriut, hekurudha kalon në Sofje dhe përfundon në Plovdiv, duke u degëzuar në portet e Burgasit dhe Varnës. Qeveria e Shqipërisë në Strategjinë Sektoriale të Transportit, e konsideron Korridorin 8 me rëndësi strategjike.

Advertisement