Sport
Murinjo dhe Reali shtrëngojnë duart, portugezi rikthehet për herë të dytë në stolin madrilen
Trajneri portugez Zhoze Murinjo ka nënshkruar kontratën për të marrë drejtimin e Realit të Madridit sezonin e ardhshëm dhe pritet të zyrtarizohet në detyrë sapo Florentino Pérez të konfirmohet fitues i zgjedhjeve presidenciale të klubit më 7 qershor. Lajmi është raportuar nga gazetari David Ornshtein i “The Athletic”.
Sipas raportimit, emërimi i “Special One” do të ishte bërë publik më herët, por procesi është shtyrë për shkak të zhvillimit të garës presidenciale në klub.
Murinjo, 63 vjeç, ka firmosur kontratën javën e kaluar dhe pritet të rikthehet në kryeqytetin spanjoll me një marrëveshje që do ta mbajë në krye të skuadrës “merengues” deri në qershor të vitit 2029.
Presidenti i Realit, Florentino Pérez, e ka përzgjedhur Murinjon si trajnerin e ardhshëm të ekipit. Pérez, 79 vjeç, shpalli zgjedhjet presidenciale më 12 maj, ndërsa votimi do të zhvillohet më 7 qershor. Njoftimi zyrtar për emërimin e trajnerit pritet pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Ky do të jetë mandati i dytë i Murinjos në drejtimin e Realit të Madridit. Gjatë periudhës së tij të parë në krye të skuadrës madrilene, ai fitoi një titull të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit.