Aktualitet
Frymzim Dauti: Konflikti Iran-SHBA kishte karakteristikat e një lufte rajonale
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përplasjet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë në qendër të analizave ndërkombëtare. I ftuar në emisionin “Tik Talk” në NTV, me moderatoren Grisela Zendeli eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Frymzim Dauti deklaroi se konflikti i fundit kishte marrë tashmë tiparet e një lufte rajonale.
Sipas Dautit, në operacionet ushtarake u përfshinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, disa shtete të rajonit, ndërsa bazat ushtarake të vendosura në Arabinë Saudite, Bahrein, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe Irak luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e operacioneve kundër Iranit.
Eksperti theksoi se përfshirja e këtyre vendeve e bën të vështirë klasifikimin e konfliktit si një përplasje të kufizuar ndërmjet dy shteteve, duke argumentuar se ai kishte marrë tashmë përmasa rajonale. Sipas tij, ky zhvillim ishte paralajmëruar më herët edhe nga zyrtarë të lartë iranianë, të cilët kishin folur për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në të gjithë rajonin.
Megjithatë, Dauti vlerësoi se aktualisht nuk ekzistojnë tregues të qartë që situata të përshkallëzohet në një luftë tokësore të gjerë. Ai argumentoi se një skenar i tillë do të kërkonte ndërhyrje të drejtpërdrejta ushtarake dhe operacione pushtuese në territorin e vendeve të Gjirit, gjë që, për momentin, nuk duket të jetë e afërt.
Në analizën e tij, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare komentoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara në konflikt, duke theksuar se zhvillimet e fundit kanë nxitur diskutime të reja mbi efektivitetin dhe kapacitetin e tyre ushtarak në përballje të tilla rajonale.