Connect with us

Bota

Tensione në Teheran, presidenti iranian i ofron dorëheqjen udhëheqësit suprem Khamenei

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian dyshohet se i ka paraqitur dorëheqjen udhëheqjes së lartë të Iranit, sipas raportimeve që qarkullojnë në mediat ndërkombëtare. Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane.

Informacioni bazohet në burime anonime të cituara nga një media opozitare iraniane, sipas të cilave Pezeshkian ka shfaqur kundërshtime ndaj rolit gjithnjë e më të madh të Gardës Revolucionare në drejtimin e institucioneve shtetërore.

Sipas këtyre pretendimeve, presidenti iranian vlerëson se një pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes është zhvendosur jashtë strukturave të zakonshme shtetërore. Gjithashtu, raportohet se ai dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë kanë pasur ndikim të kufizuar në proceset kryesore politike dhe ushtarake.

Burimet e njëjta lidhin mosmarrëveshjet me mënyrën e menaxhimit të konfliktit dhe ndikimin që situata ka pasur në ekonominë e vendit dhe në jetën e qytetarëve iranianë.

Raportimet për dorëheqjen e mundshme të Pezeshkianit vijnë në një kohë kur mediat amerikane kanë publikuar informacione se Mojtaba Khamenei ndodhet në një vend të fshehtë dhe komunikon në mënyrë shumë të kufizuar me botën e jashtme.

“Vazhdoj të punoj dhe jam i gatshëm për çdo eventualitet”, citohet të ketë thënë presidenti.

Në një postim në X, Pezeshkiani pohon se “nuk është e mundur të përballohen sfidat e mëdha pa kaluar vështirësi”, dhe flet për nevojën që t’i shpjegohet popullsisë realiteti “në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë të marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve. Kjo dhimbje e përbashkët nuk do të shërohet kurrë veçmas.”

Advertisement