Bota
Pamjet tronditëse në Turqi, stadiumet mbushen me viktima
Nada, një grua siriane dhe burri i saj turk pyetën një anëtar të ekipeve të shpëtimit se cila ishte mënyra më e përshtatshme për të gjetur mbesën dhe tezen e tyre midis më shumë se 100 trupave të vendosur në parkingun në spitalin Hatay pranë qytetit të Antakya në Turqinë jugore. Kontrollo një nga një” u thanë. “Gruaja ime nuk flet turqisht dhe nuk shoh shumë mirë”, tha bashkëshorti. “ Duhet të kontrollojmë të gjitha fytyrat. Ne kemi nevojë për ndihmë”.
Banorët në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi kalojnë pranë qindra trupave të shtrirë në stadiume dhe parkingje, duke hequr me kujdes batanijet nga fytyrat e tyre ndërsa përpiqen të identifikojnë të afërmit e tyre të vdekur pas tërmetit të fuqishëm që tronditi rajonin.
Shumë nga të vrarët në tërmetin i cili goditi në orët e para të mëngjesit të së hënës janë të vendosur në thasë të posaçëm, ose të mbuluar me batanije, derisa të afërmit ose miqtë ti gjejnë dhe ti marrin me vete. Trupat janë vendosur në tenda ose në trotuar jashtë spitalit me 1130 shtretër të ndërtuar në vitin 2016, i cili u dëmtua rëndë. Disa nga të vdekurit kanë etiketa me të dhënat e tyre personale, të tjerët jo. Ata që gjejnë njeriun e tyre marrin një certifikatë vdekjeje dhe leje varrimi nga një prokurori i pranishëm në vendngjarje dhe më pas i transportojnë me automjetet e tyre.
Një grua që nuk mundi ta gjente motrën e saj bërtiti: “O Zot, na shiko, ne do të jemi mirënjohës nëse gjejmë trupin e njerëzve tanë”. Erdem , 36 vjeç, një punonjës i shërbimeve të urgjencës që erdhi nga Izmiri në Turqinë perëndimore, tha se problem është mungesa e morgjeve dhe se koordinatorët po prisnin kamionët frigoriferikë për të vendosur të vdekurit. Në veri, në Kahramanmaras, pranë epiqendrës së tërmetit, të paktën 100 trupa ishin vendosur në një fushë, ku banorët shkojnë për identifikim. Një grua ra në gjunjë duke qarë. Para saj shtriheshin trupat e tre fëmijëve të vegjël të mbuluar me çarçafë në barela për foshnjat.