Aktualitet
Dhjetëra pasuri për t’u sekuestruar/ SPAK nis përkthimin e materialit për kërkesë-ekstradimin e Ermal Beqirit
Procedura për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri nga Franca drejt Shqipërisë nuk ka përfunduar ende. Sipas burimeve pranë grupit të përkthyesve të licencuar të gjuhës frënge, të cituara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Ministria e Drejtësisë është ende në procesin e përkthimit të dokumentacionit që do t’i dërgohet autoriteteve franceze.
Dosja përfshin vendimin e Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”, të dhënë në dhjetor 2025, si dhe një sërë aktesh nga fashikulli hetimor që do t’i bashkëngjiten letërporosisë për ekstradim. Për shkak të volumit të madh të materialeve, pritet të nevojiten edhe disa ditë për përfundimin e procedurës dhe dërgimin e saj në Francë.
Paralelisht, SPAK po përgatit edhe një kërkesë të dytë për ndihmë juridike, përmes së cilës do t’u kërkojë autoriteteve franceze vendosjen nën sekuestro të disa pasurive që dyshohet se i përkasin Ermal Beqirit. Bëhet fjalë për një kështjellë, dy avionë, dy banesa, automjete, si dhe asete të tjera të identifikuara gjatë hetimeve.
Beqiri është nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t dhe dyshohet për disa vepra penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas verifikimeve, Interpol Tirana e shpalli në kërkim ndërkombëtar me njoftim të kuq një ditë pasi SPAK i kërkoi zyrtarisht Policisë së Shtetit ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj tij, më 24 dhjetor 2025.
Nga hetimet e përbashkëta me autoritetet franceze janë identifikuar gjithashtu disa pasuri me origjinë të dyshuar kriminale në Francë, përfshirë llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike, për të cilat SPAK synon të kërkojë sekuestrim.