Connect with us

Kosova

Asociacioni/ Prapë në ambasadë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë produktiv diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe më 31 janar.

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë tha se tani pritet të mbahet një tjetër organizim – por këtë herë jozyrtar – për ta diskutuar më tej këtë çështje.

Pas diskutimit të mbyllur të organizuar nga Ambasada Amerikane më 31 janar, ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” apo që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Kurti e ka pranuar në parim propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vazhdon të ngurrojë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai nuk u ftua në diskutimin për Asociacionin në Ambasadën e SHBA-së, por në të morën pjesë disa përfaqësues të Qeverisë dhe të Presidencës. Më pas, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti paraqiti gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit.

Advertisement