Connect with us

Rajon

Gjenocidi – Dodik nën hetim

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Bosnjë – Hercegovinë ka nisur një hetim kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit.

Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, është prokurori ai që do të vendosë nëse do të ngrihet ndonjë aktakuzë.

“Gjenocidi nuk ka ndodhur. Të gjithë ne në Republikën Srpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

Gjatë gjenocidit në korrik të vitit 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Srpskas (VRS) vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinat e saj.

Më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, që atë kohë ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

 

Advertisement

TRENDING