Lifestyle
Ideale të punojmë vetëm katër orë në ditë
Orët e gjata në zyrë çojnë në rritjen e nivelit të stresit. Në të njëjtën kohë, po dëgjojmë se shumë vende po i reduktojnë orët e punës për punonjësit dhe rezultatet tregojnë se këta të fundit janë më shumë produktivë…
Sipas librit të ri të Alex Soojung-Kim Pang, ne duhet të punojmë vetëm katër orë në ditë, në mënyrë që të jemi më produktivë.
Kështu kanë vepruar edhe shkrimtari i famshëm Charles Dickens dhe biologu gjenial Charles Darwin.
“Vite të tëra studimi kanë treguar se, orët e gjata të punës ndikojnë negativisht në produktivitet”, argumenton Pang, në librin e tij “Pse kryeni më shumë punë kur punoni më pak?!”
Të dy, Charles Darwin dhe Charles Dickens, thuhet se kanë punuar vetëm katër orë në ditë, duke pasur kështu mirëqenie në jetën e tyre.
Darwin besohet të ketë bërë kërkime shkencore vetëm 90 minuta në ditë, sipas raporteve të Quartz-it. Pjesën tjetër të ditës e kalonte duke lexuar, duke shëtitur, duke shkruar letra dhe duke fjetur.
Djali i Dickens-it ka treguar se babai i tij punonte nga ora nëntë e paradites deri në orën dy pasdite, madje me një pauzë dreke, shkruan The Independent.
Këto dy personalitete nuk janë të vetmit që kanë arritur sukses të madh duke punuar pak gjatë ditës. Edhe Thomas Mann dhe Edna O’Brayen kanë pasur të njëjtin orar, sipas Pangut.
Ai beson se sasia e kohës që ata ia dedikonin pushimit ishte po aq e rëndësishme sa koha që e kalonin duke punuar.
“Kur ne ndalim së punuari dhe pushojmë si duhet, nuk ndikojmë negativisht në kreativitetin tonë, përkundrazi, po investojmë në të”.
Sidoqoftë, duket e pamundur që ky koncept të aplikohet në shumë zyra dhe vende të punës, pavarësisht nga fakti se studimet vazhdimisht listojnë përfitime nga ky proces.
Një studim, për shembull, arriti në përfundimin se shkencëtarët që kanë punuar për 25 orë në javë kanë qenë po aq produktivë sa kolegët e tyre, të cilët kaluan vetëm pesë orë në vendin e punës.