Connect with us

Shkrime

Vetëm lufta e zgjidh konfliktin Kosovë-Serbi

Nga Profesor Doktor Enver Bytyçi

Gradualisht me ose pa asosacionin, disa ndërkombëtarë në kombinim me Beogradin duan ta çojnë Kosovën te ndarja e territorit, që do të thotë luftë midis dy vendeve e dy popujve.

Teksa emisari europian Miroslav Lajçak erdhi në Kosovë dhe përçoi ndarjen e saj, shefja e USAID-t amerikan, Samantha Power, u përpoq të ulë tensionet që ai i krijoi.

I ngarkuari për dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë të përsëritur po e trajton Kosovën si shtet të ndarë. Ai po ndjek të njëjtën linjë si në Bosnjë-Hercegovinë, kur diplomatët ndërkombëtarë që udhëtojnë drejt Sarajevës e përfundojnë këtë udhëtim në Banja-Luka, kryeqytetin e Republikës Srpska. Edhe Lajçak për të disatën herë niset drejt Prishtinës dhe përfundon diku në Leposaviç, për t’u takuar me krerët e Listës Srpska.

Në pamjen e parë kjo duket si normale, pasi Lajçak, thonë disa, duhet të bisedojë me të gjitha palët për ruajtjen e paqes. Ndërkohë atij do t’i mjaftonte takimi me Vuçiç për të ezauruar edhe takimet me serbët e Kosovës. Sepse është e njëjta gjë: – Nëse takon Vuçiç, ke takuar gjithashtu Listën Srpska. Këtë fakt e njeh edhe zoti Lajçak.

Atëherë çfarë nevoje ka që ai sa herë vjen në Prishtinë të kalojë Urën e Ibrit në këmbë e të demonstrojë partneritet me Listën Srpska?!

Kjo në gjuhën diplomatike do të thotë se kjo parti politike ekstremiste e serbëve në Kosovë, po promovohet si partnere e barabartë me shtetin e Kosovës. Mesazhet e Lajçak janë krejt të lexueshme. Ai po na thotë se “po ndërton partneritetin e Brukselit me një subjekt politik të inkriminuar e destabilizues dhe këtë do të jeni të detyruar ta bëni edhe ju në Kosovë”! Ndryshe po na kërcënon me luftë. Thotë: “Nëse nuk e pranoni paqen, pranoni luftën”!

Ndërkaq zonja Power i hodhi pak ujë zjarrit, duke vepruar ndryshe e më së shumti, duke vlerësuar maksimalisht arritjet e shtet-ndërtimit në Kosovë, kurse serbët shkojnë në ekstrem për të arritur realizimin e projekteve të tyre. Pak më shumë se 30 mijë serbë në katër komunat e veriut të Kosovës bëjnë zhurmë aq sa topat, murtajat e raketat ruse që hidhen mbi Ukrainë, me qëllim që të kërcënojnë paqen.

Por në emër të kësaj paqeje Kosova nuk është e nuk duhet të jetë e gatshme ta sakrifikojë territorin e saj. Refuzimi i paqes me çmimin e territoreve është më e pakta që mund të bëjë Kosova. Prandaj Lajçak-ut dhe Borrellit u duhet bërë e qartë se qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme ta udhëheqin edhe luftën në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit, nëse kjo luftë imponohet. Duhet t’ia bëjnë me dije Brukselit që të mos dyshojë në ndonjë skenar kompromisi me territorin, federalizimin ose kantonizimin e Kosovës. Ndryshe Lajçak, Borrel e ndonjë tjetër do të vazhdojnë ta trajtojnë si palë një parti politike serbe në Kosovë, e cila në vend të katër-pesë deputetëve që do kishte me votim të drejtpërdrejtë, ka trefishin e këtij numri, për shkak të vendeve të rezervuara me kushtetutë. Ka madje edhe të drejtën e bllokimit të kushtetutës.

Lufta do t’i zgjidhte përfundimisht edhe këto ngërçe me të drejta të priveligjuara për serbët në Kosovë, edhe pse ata, ose shteti i tyre në Serbi është përgjegjës për genocidin që kreu kundër shqiptarëve. Asosacioni dhe konflikti i Kosovës me Serbinë nuk zgjidhet në Bruksel, as në Uashington. Ky konflikt zgjidhet në Prishtinë, nga institucionet e saj. Madje nuk zgjidhet as në Beograd apo Leposaviç e Zubin Potok. E drejta është kriteri themelor i kësaj zgjidhjeje. Ndryshe duhet përgatitur për luftën e ardhshme. Në këto kushte qeveria e Kosovës së paku gjysmën e fondit të pashpenzuar prej gati një miliard eurosh mund ta planifikojë e miratojë në parlament si fond për armatosjen e Kosovës.

Kemi ardhur deri në këtë pikë, kur Lajçak hapur luan me disa karta… Gradualisht me ose pa asosacionin disa ndërkombëtarë në kombinim me Beogradin duan ta çojnë Kosovën te ndarja e territorit. Prandaj duhet mobilizim e frymë për ta fituar betejën e fundit me Serbinë. Rrugë tjetër ndershmërie e barazie, bazuar në kriteret e së drejtës për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi, nuk ka! Por edhe liria nuk shijohet pa sakrifica edhe më të mëdha!

 

Advertisement