Politike
Fitorja e Benetit/ Sa ndikoi Luiz Ejlli në fushatën e PS në rrjetet sociale?
Përpara mbylljes së natës finale të spektaklit televiziv ‘Big Brother VIP Albania 2’, drejtuesja Arbana Osmani njoftoi se ‘vëllai i madh’ kishte përgatitur një surprizë të fundit për këngëtarin Luiz Ejlli, i cili u shpall dhe fitimtari i këtij edicioni që zgjati plot 133 ditë.
I veshur me një kostum të zi dhe këmishë të bardhë, këngëtari u nis drejt tarracës së bashkisë së Tiranës, ku mes familjarëve dhe miqve të ftuar, ai kurorëzoi lidhjen e tij me prezantuesen televizive, Kiara Tito, duke u martuar në një ceremoni të udhëhequr nga kryetari dhe kandidati socialist për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.
Ceremonia e martesës, pjesë e spektaklit me audiencën më të madhe gjatë këtij sezoni televiziv, u transmetua live edhe në faqjen Veliajt në rrjetin social ‘Facebook’.
“LIVE nga tarraca e Bashkisë së Tiranës????, për të kurorëzuar dashurinë e Kiarës dhe Luizit????❤????????,” shkruante Veliaj.
Video e martesës së Luizit dhe Kiarës ka marrë 472,714 shikime dhe ka gjeneruar gati 24 mijë ‘like’, ‘share’, ‘emoji’ dhe komente, duke u kthyer në postimin me anagazhimin më të lartë të audiencës gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit.
Të dhënat e analizuara nga BIRN nëpërmjet aplikacionit ‘Crowdtangle’ tregojnë që kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetarët e partive dhe drejtuesit politik të qarqeve, i përdorën gjerësisht rrjetet sociale për të komunikuar me zgjedhësit dhe për të transmetuar materiale propagandistike.
Në total, kandidatët për kryetarë bashkie realizuan gati 9 mijë postime në 4 javët e fushatës, duke gjeneruar më shumë se 32.8 milionë shikime video dhe 6.3 milionë ndërveprimeve me ndjekësit e rrjetit social ‘Facebook’.
Një rol të rëndësishëm gjatë kësaj fushate luajtën dhe tre liderët kryesorë politikë – Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët regjistruan në total 18 milionë shikime dhe 3 milionë ndërveprime.
Ndërkohë, 18 drejtuesit politikë të qarqeve, pa përfshirë qarkun Tiranë ku kandidatët për bashkinë ishin dhe drejtuesit politikë të qarkut, regjistruan 6.7 milionë videoshikime dhe gati 2 milionë ndërveprime në ‘Facebook’.
Crowdtangle është një aplikacioni i kompanisë Meta, pronare e Facebook dhe Instagram, që mundëson analizimin e dhënave të faqeve publike në rrjete sociale.
Gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetarë bashkie dhe rreth 23,700 kandidatë për këshilltarë bashkiakë garuan në zgjedhjet e 14 majit. Nëpërmjet Crowdtangle, BIRN monitori faqet publike në Facebook të 127 kandidatëve për kryetarë bashkie, 6 kryetarë partish politike dhe 18 drejtues politikë qarqesh të subjekteve kryesore që garuan në zgjedhje, Partisë Socialiste, koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” dhe Partisë Demokratike.
Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, arriti një fitore gati plebishitare në zgjedhjet vendore të 14 majit, duke zgjedhur kandidatët e saj në drejtimin e 53 bashkive nga 61 njësi të qeverisjes vendore në total.
Të marrë së bashku, kandidatët e Partisë Socialiste kanë qenë dhe më aktivët në rrjetet sociale, duke gjeneruar gjatë fushatës zgjedhore 3.1 milionë ndërveprime të kombinuara me ndjekësit në Facebook dhe 16 milionë shikime në videot e postuara.
Kandidati socialist me gjurmën më të madhe sociale në Facebook gjatë zgjedhjeve ishte Erion Veliaj, i ndjekur nga Gledian Llatja, Emiriana Sako dhe Safet Gjici.
Kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë të marrë së bashku kanë pasur gjysmën e ndërveprimeve të rivalëve të tyre socialistë në Facebook. Të dhënat e Crowdtangle tregojnë se gjatë fushatës zgjedhore, ata regjistruan 1.4 milionë ndërveprime dhe 11.8 milionë shikime të videove të tyre.
Kandidati me më shumë shikime dhe ndërvepim të videove ishte Belind Këlliçi, i ndjekur nga Igli Cara dhe Bardh Spahia.
PS-ja ishte subjekti më i votuar edhe në këshillat bashkiakë, ku siguroi 46.9% të votave dhe 757 mandate këshilltarësh.Një rol të rëndësishëm në fushatën për zgjedhjet vendore në rrjetet sociale kanë luajtuar dhe liderët kryesorë politikë.
Mes tyre më me ndikim ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet faqjes së tij me më shumë se 1.6 milionë ndjekës në Facebook, ka gjeneruar 2.2 milionë ndërveprime dhe 11 milionë video të shikuara gjatë fushatës zgjedhore.
Pas Ramës, në garën virtuale në mediat sociale renditet Sali Berisha me 4.5 milionë shikime video dhe 631 mijë ndërveprime dhe Ilir Meta me 2.3 milionë shikime video dhe 166 mijë ndërveprime.
Big Brother Vip Albania është një garë televizive e bazuar në formatin televiziv holandez me të njëjtin emër të krijuar nga John de Mol, i cili ndjek një grup pjesëmarrësish VIP të izoluar në një shtëpi të ngritur enkas. Çdo javë një nga pjesëmarrësist nxirret nga shtëpia në bazë të votave të publikut. Garuesi i fundit i mbetur në garë fiton një çmim prej 100 mijë euro.
Luiz Ejlli u shpall më 6 maj fituesi i edicionit të dytë të Big Brother Albania VIP. Me profesion jurist, këngëtar dhe ish-diplomat, përpara se të fitonte ‘Big Brother’, Ejlli ka fituar edhe edicionin e 44 të Festivalit të Këngës në RTSH dhe në vitin 2006, ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.
Edhe pse një personazh i njohur, pjesëmarrja në spektaklin ‘Big Brother’ i solli famë dhe vëmendje Ejllit gjatë kohës që ai ishte i mbyllur në të ashtuquajturën ‘shtëpia më e famshme në Shqipëri’. Mbështetja ndaj Ejllit ishte gati fanatike në qytetin e tij të lindjes, Shkodër dhe në veri të Shqipërisë, ku një seri posterash u shfaqën në mbështetje të tij gjatë periudhës që ai ishte pjesë e spektaklit.
Popullariteti i Ejllit nuk shkoi pa u rënë në sy liderëve të Partisë Socialiste të përfshirë në fushatën zgjedhore, në mënyrë të veçantë pasi ai falenderoi gjatë spektaklit kandidatin socalist për bashkinë Shkodër, Benet Becin.
Ish-deputet i Partisë Socialiste në qarkun Shkodër, Beci më herët ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Në një rrëfim plot ‘lot dhe qurre’ në gjysëmfinalen e Big Brother, Ejlli rikujtoi një moment të vështirë nga jeta e tij, kur kishte mbetur pa punë dhe Beci i ishte gjendur duke i ofruar një post si specialist në KESH.
“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran,” ka deklaruar Ejlli, duke shpjeguar se Beci e kishte punësuar në korporatën publike, KESH duke u bazuar tek kriteri i origjinës së përbashkët.
“Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën,” shtoi ai.
Pas daljes nga ‘Big Brother’, me 11 maj, Ejlli udhëtoi drejt Shkodrës për t’iu bashkuar fushatës së Benet Becit. Në një video të postuar në Facebook nga kandidati socialist, Ejlli nuk i kurseu fjalët e mira për punëdhënësin e tij të dikurshëm.
“Kur kisha vërtet nevojë për dikë, i vetmi njeri që sinqerisht më hapi telefonin ishte Benet Beci,” thotë Ejlli, nën tingujt e këngës së fushatës elektorale të kandidatit socialist me titull, “Si ke ndje”.
“Është njeri i mirë, do jetë njeri i mirë, dhe juve do ju ndihmojë gjihtësecilit me të gjitha mundësitë që ka,” shtoi ai.
Kjo video e postuar nga Beci ka marrë 549,467 shikime në Facebook dhe ka gjeneruar më shumë se 21 mijë ndërveprime, duke u renditur si postimi i dytë më popullor nga kandidatët për kryebashkiakë gjatë fushatës, i tejkaluar vetëm nga dasma e Ejllit me Kiara Titon në tarracën e bashkisë së Tiranës.
Ndikimi i Ejllit në fushatën e socialistëve nuk është kufizuar vetëm në postimet e kandidatëve. Të dhënat e ‘Crowdtangle’ të analizuara nga BIRN, tregojnë se më shumë 1 mijë e 300 lajme janë postuar nga mediat online në lidhje me deklaratat e tij për Becin dhe martesën e kurorëzuar nga Erion Veliaj. Këto lajme kanë gjeneruar më shumë se 125 mijë ndërveprime në Facebook./Marre nga BIRN