Kronike
Siguria në zonat bregdetare, bllokohen 8 mjete lundruese
Policia Kufitare/Vijojnë kontrollet intensive, përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe liqenore, nga Saranda në Shkodër.
Kontrollet, në kuadër të rritjes së sigurisë së pushuesve, të zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit, si dhe të parandalimit dhe goditjes së krimeve kufitare.
Nga Ksamili në Shëngjin, brenda 24 orëve të fundit, Policia Kufitare ka bllokuar 8 mjete lundruese, nga të cilat 4 skafe dhe 4 mjete lundruese argëtimi “Jet ski”.
Drejtuesit e 8 mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë të rinj secili.
✅ Në Ksamil, Policia Kufitare ka bllokuar 4 mjete lundruese skaf dhe ka ndëshkuar me masë administrative, nga 10 000 lekë të rinj secili, drejtuesit e këtyre mjeteve, për mungesë të dokumentacionit në bord.
✅Në plazhin e Durrësit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar një mjet lundrues argëtimi “Jet ski” dhe kanë ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë të rinj, drejtuesin e tij, për mungesë dokumentacioni.
✅Në Shëngjin, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar 2 mjete lundruese “Jet ski”, drejtuesit e të cilave kryenin manovra të rrezikshme në det, në afërsi të pushuesve. Patrullat e Policisë Kufitare janë vënë menjëherë në ndjekje të tyre, kanë bërë të mundur ndalimin dhe bllokimin e këtyre mjeteve lundruese, si dhe ndëshkimin me masë administrative nga 10 000 lekë të rinj secili, të drejtuesve të tyre.
-Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë Kufitare në Shëngjin kanë bllokuar me afat njëjavor, një tjetër mjet lundrues argëtimi “Jet ski”, pasi nuk kishte dokumentacionin në bord.
Policia Kufitare apelon për pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të zbatojnë me korrektesë, kërkesat ligjore për daljen në det, të pajisjen me dokumentacionin përkatës, si dhe për të gjithë ata shtetas që përdorin mjete lundruese argëtimi, apelon që të tregojnë kujdes dhe të mos cenojnë zonat e sigurisë së pushuesve në plazhe.
Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht, do të shtojë kontrollet në det dhe monitorimin nga toka të të gjithë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve, zbatimin e ligjit dhe rregullave të lundrimit në det, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.