Politike
NUK DO TË QËNDROJ NË PAFUNDËSI / RAMA HAP KARTAT PËR TË ARDHMEN E TIJ POLITIKE
Kryeministri Edi Rama ka folur hapur për të ardhmen e tij politike dhe momentin kur mund t’i japë fund qëndrimit në pushtet, duke deklaruar se nuk synon të qëndrojë përgjithmonë në krye të qeverisë dhe as të shndërrohet në një lider që kërkon pushtet të përjetshëm.
Në një intervistë Rama ka rrëfyer se çfarë e mban ende në politikë dhe kur, sipas tij, mund të vijë momenti i largimit.
Kryeministri e lidh të ardhmen e tij politike drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama thotë se nuk është në politikë për t’u bërë “mbret” dhe as për të qëndruar pafundësisht në pushtet. Sipas tij, objektivi që e mban ende në këtë rol është përfundimi i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Unë nuk jam këtu për t’u bërë mbret ose për të qëndruar në pafundësi”, deklaroi Rama, duke shtuar se vazhdon të jetë në politikë sepse e sheh të hapur “derën e Bashkimit Evropian”.
Por deklarata më e fortë vjen kur kryeministri flet për momentin kur Shqipëria do ta kalojë këtë prag.
“Në momentin që unë, me ndihmën e Zotit dhe të shqiptarëve, e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”, u shpreh Rama.
Një deklaratë që e vendos anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në qendër të asaj që Rama e konsideron si objektivin e tij të fundit politik.
Kryeministri nuk jep një datë konkrete për largimin, por e lidh atë me një moment politik të përcaktuar: përfundimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.
Rama e paraqet kështu qëndrimin e tij në pushtet jo si një ambicie për të drejtuar vendin pa afat, por si një mision që, sipas tij, duhet të përfundojë me integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.
Deklarata vjen në një kohë kur brenda Partisë Socialiste kanë nisur prej kohësh diskutimet për të ardhmen e drejtimit të partisë dhe për figurat që mund të garojnë një ditë për të pasuar Ramën.
Megjithatë, kryeministri ka theksuar se nuk mendon të zgjedhë vetë pasardhësin e tij dhe se ai që do të marrë drejtimin e PS-së duhet të dalë vetë dhe të marrë përsipër përgjegjësinë politike.
Në këtë kuadër, Rama jep edhe një tjetër sinjal për të ardhmen: largimi nga posti i kryeministrit dhe drejtimi i PS-së, sipas tij, nuk do të thotë domosdoshmërisht largim nga partia.
Ai ka deklaruar se pas largimit synon të mbetet anëtar i thjeshtë i organizatës socialiste në Surrel, pa marrë rolin e “patronit” mbi pasardhësin e tij.
Kështu, Rama e lidh fundin e karrierës së tij politike me një objektiv konkret: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Dhe nëse ky objektiv realizohet, sipas vetë kryeministrit, shqiptarët do të duhet të presin edhe largimin e tij nga drejtimi i vendit.
“Kur ta kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë” – një nga deklaratat më të drejtpërdrejta të Edi Ramës për momentin kur ai mund t’i japë fund epokës së tij politike.