Kronike
ARRATISJE SPEKTAKOLARE NGA BURGU E SHQIPTARIT
Një arratisje spektakolare ka ndodhur në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar është liruar me forcë nga shoqëruesit e burgut, ndërsa po transportohej nga burgu drejt spitalit.
Ngjarja ka ndodhur në Serres, rreth orës 23:30, në ambientet e jashtme të një spitali, pranë repartit psikiatrik.
I burgosuri ndodhej në një furgon së bashku me dy punonjës të shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut, kur në skenë u shfaqën bashkëpunëtorët e tij.
Autorët lëviznin me automjete që ngjanin me ato të policisë. Njëri prej tyre ishte një Nissan Navara, i pajisur edhe me një dritë sinjalizuese, çka bëri që shoqëruesit fillimisht të mendonin se kishin të bënin me efektivë policie.
Por situata ndryshoi brenda pak sekondash.
Personat zbritën nga automjetet të armatosur me kallashnikovë dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan shoqëruesit e të burgosurit.
Më pas, ata ndihmuan 41-vjeçarin të arratisej dhe morën edhe armën e shërbimit të një prej punonjësve të burgut.
Autorët u larguan me automjetet e tyre, ndërsa policia greke ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e të arratisurit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
41-vjeçari shqiptar ishte arrestuar vitin e kaluar në Selanik, i dyshuar për tentativë vrasjeje pas një incidenti në një kioskë ushqimore.
Ai dyshohet gjithashtu se ka pasur lidhje me trafikimin e armëve dhe drogës.
Në momentin e arratisjes, në ambientet e spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë.
Policia greke po heton për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë operacion, ndërsa 41-vjeçari vijon të jetë në kërkim.
